Besar Ademi
05 Nëntor 2017•Përditësim: 06 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Në organizim të disa organizatave joqeveritare, familjarët e të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave” të mbështetur nga dhjetëra qytetarë u tubuan në sheshin "Skënderbeu" në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër vendimit gjyqësor të shkallës së parë për rastin në fjalë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit të cilët kërkuan hetim ndërkombëtar për rastin “Lagjja e Trimave”, porositën se do të vazhdojnë të protestojnë në mënyra të ndryshme deri sa të përsëritet hetimi nga ekspertë të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve, sepse sipas tyre, “vendimi i shqiptuar i gjykatës ishte politik”.
“Ne sot ia bëjmë me dije mbarë botës se gjykata ka dhënë dënime të padrejta dhe politike. Kemi shpresuar që me ndryshimin e qeverisë gjykata pas dy vite e gjysmë do ta zbardh të vërtetën për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Nuk kemi ndërhyrë dhe vendimet i kemi pritur qetë, por nga sot e tutje do të protestojmë për liri dhe drejtësi të të gjithëve”, deklaroi Daim Iseni, kryetar i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni.
Kryetarja e grupit të familjarëve të të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave”, Dashurie Sefa, theksoi se kërkojnë që i gjithë procesi i ngjarjes, duke filluar nga fillimi të hetohet nga ndërkombëtarët, sepse siç tha ajo, “strukturat e larta shtetërore të Maqedonisë kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në ngjarjet e 9 dhe 10 majit”.
“Ne apelojmë tek Qeveria dhe pushtetarët e rinj të Maqedonisë drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi. Riktheni bijtë në një rigjykim të drejtë dhe human. Hetoni dhe nxirrni para organeve të drejtësisë të gjithë shtytësit, joshësit, manipuluesit, përfituesit, urdhërdhënësit, zbatuesit dhe gjithë zinxhirin kriminal të pushtetarëve maqedonas dhe shqiptarë që në radhë të parë kanë dëmtuar qytetarët dhe shtetin e Maqedonisë”, deklaroi Sefa.
Ndërkaq, kryetari i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut me seli në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Idriz Sinani, apeloi deri tek Ministria e Punëve të Brendshme që në hetim të bashkëpunohet me autoritetet ndërkombëtare, veçanërisht me ata të Shqipërisë dhe Kosovës në zbardhjen e plotë të rastit.
“Forumi ndërkombëtar për të drejtat dhe liritë e njeriut do t’i informojë të gjitha institucionet ndërkombëtare, siç janë OKB, BE dhe Gjykata Ndërkombëtare në Strasburg dhe Hagë. Kërkesat tona do të jenë që qeveritarët e mëparshëm të përgjigjen para drejtësisë ndërkombëtare për rastet e montuara të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Sinani.
Të enjten Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi aktvendimin për 37 të akuzuarit të grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Tetë të akuzuar u dënuan me burg të përjetshëm, katër të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër morën dënime prej 12 deri në 40 vjet burg. Të akuzuarit u ngarkuan për veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”.
Prej të akuzuarve të cilët u ngarkuan me veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, 16 janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas i Gjermanisë, ndërsa pjesa tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.
Kujtojmë se më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë maqedonase. Gjatë përleshjeve u vranë tetë policë të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 40 të tjerë u plagosën. Në përleshje, poashtu u vranë edhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur.