Bayram Altuğ
20 Mars 2018•Përditësim: 20 Mars 2018
GJENEVË (AA) - Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, ambasadori Naci Koru, ka theksuar se pushtimi izraelit në territoret e Palestinës është burimi më i madh destabilizimit në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori Koru foli në Sesionin e 37-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ku në fjalën e tij është shprehur se vendimi i SHBA-ve për njohjen e Kudsit si "kryeqytet të Izraelit" dhe për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Kuds, dobëson vizionin e zgjidhjes me dy shtete.
Koru ka rikujtuar se Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI), me thirrjen e Turqisë e cila ka edhe presidencën e radhës u mblodh më 13 dhjetor të vitit të kaluar në Stamboll me një agjendë të jashtëzakonshme, ku dhe ka dënuar në mënyrën më të fuqishme vendimin e SHBA-ve i cili është i ngjashëm me një vendim të marrë nga Parlamenti i Izraelit në vitin 1980.
Duke theksuar se i njëjti vendim është refuzuar me shumicë dërrmuese edhe në një votim të kryer me 21 dhjetor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Koru tha se bashkësia ndërkombëtare në votim tregoi edhe njëherë mbështetjen e saj për Palestinën.
"Ne besojmë se situata humanitare në Palestinë, veçanërisht në Rripin e Gazës, është përkeqësuar", është shprehur Koru, duke nënvizuar se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të harrojë situatën e keqe të palestinezëve, të cilët vuajnë nga efektet shkatërrimtare të kufizimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Ai vuri në dukje se ekziston një nevojë urgjente për të rivendosur në veprim procesin e paqes për të shmangur më shumë rreziqet humanitare në Palestinë. "Sot, gjendja aktuale në Palestinë nuk është qartazi e qëndrueshme. Pushtimi izraelit i territoreve palestineze është burimi më i madh i destabilizimit si në rajon dhe më gjerë. Turqia, do të vazhdojë mbështetjen e saj që ka dhënë në çështjen e ndihmës humanitare në Palestinë dhe kryesisht mbështetjen për institucionet qeveritare të përqendruara në Gaza dhe për përpjekjet e shtet-ndërtimit", tha Koru.