Elena Teslova
14 Shtator 2020•Përditësim: 15 Shtator 2020
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike kanë diskutuar pretendimet e helmimit të liderit rus të opozitës, Alexei Navalny, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Kremlinit, në bisedën me homologun e tij francez, presidenti Putin theksoi "papërshtatshmërinë e akuzave të pabazuara".
"Për të përcaktuar rrethanat reale të incidentit, specialistët gjermanë duhet të dërgojnë në Rusi biomaterialet dhe një deklaratë zyrtare mbi rezultatet e provave të mostrave të mbledhura nga Alexei Navalny dhe duhet të fillojnë të punojnë së bashku me mjekët rusë", tha Kremlini.
Kremlini shtoi se të dy presidentët ranë dakord të punojnë për parametrat e ndërveprimit të mundshëm midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian (BE) mbi incientin.
44-vjeçari Navalny, një kritik i presidentit Putin, u sëmur më 20 gusht në një fluturim nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Aeroplani bëri një ulje emergjente në Omsk dhe Navalny u dërgua me urgjencë në një spital ku ai kaloi dy ditë para se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Javën e kaluar, Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, tha se Berlini do të njoftojë BE-në dhe NATO-n, si dhe Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), në lidhje me gjetjen e "një agjenti nervor kimik" në testet e Navalny-t për të punuar në një qëndrim të përbashkët.
Të martën, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të G7-tës i bënë thirrje Rusisë t'i gjejë dhe t'i sjellë para drejtësisë autorët e helmimit të pretenduar të Navalny-t.
Ndërkaq, sipas një njoftimi nga presidenca franceze, presidenti Macron kërkoi nga Putin transparencë të plotë dhe të pavonuar mbi "atentatin" ndaj Navalny-t.
Njoftimi tha se Macron shprehu mbështetje për vendet e tjera evropiane mbi "faktet e helmimit duke përdorur një agjent nervor Novichok", duke theksuar se një sqarim është i nevojshëm nga ana e Rusisë në kuadër të një "hetimi të besueshëm dhe transparent".
Të hënën, një laborator francez dhe një zviceran njoftuan rezultatet e testeve që kishin kryer në rastin e Navalny-t, duke arritur në përfundim se ai ishte helmuar me një agjent të tipit Novichok. Mjekët gjermanë thuhet se gjetën gjurmë të agjentit në sistemin e Navalny-t.