Ekip
25 Dhjetor 2016•Përditësim: 25 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se shkaqet për rrëzimin e avionit Tu-154 në Detin e Zi do të jenë çështje e një hetimi gjithëpërfshirës dhe se familjet e të vdekurve do të marrin nga shteti tërë ndihmën e nevojshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Avioni rus Tu-154 i cili me 92 persona në bord fluturonte në drejtim të Sirisë, u rrëzua në Detin e Zi disa minuta pas nisjes nga aeroporti në Soçi.
Avioni i Ministrisë së Mbrojtjes ruse transportonte korin e mirënjohur Alexandrov i cili duhej të performonte në një koncert të organizuar në bazën ajrore ruse në Latakia të Sirisë.
Pas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes se nuk ka të mbijetuar, presidenti i vendit Putin tha se qeveria ka krijuar një komision të posaçëm i cili do të merret me shkaqet e tragjedisë. Putin ka ngushëlluar familjet e viktimave, ndërkohë që ditën e hënë, 26 dhjetorin, e ka shpallur ditë të zisë kombëtare.
Paralelisht me deklaratën e Putinit, ministri rus për Industri dhe Tregti, Denis Manturov, tha se është akoma herët të flitet për tërheqjen nga përdorimi të avionëve Tu-154.
“Në botë ka shumë lloje të avionëve që nuk janë më në prodhim, por që akoma përdoren. Jetëgjatësia e këtyre avionëve është 40 vjet, por në botë kemi aeroplanë që përdoren madje 60 vjet", tha Manturov.
Sipas listës së publikuar më herët nga Ministria e Mbrojtjes, mësohet se në avion ndodheshin 64 pjesëtarë të Ansamblit Aleksandrov, i njohur si Kori i Ushtrisë së Kuqe, 9 gazetarë, 8 ushtarë, 1 përfaqësues i një organizate të shoqërisë civile dhe 2 zyrtarë të ministrisë. Të gjithë 92 njerëzit në bord, përfshirë edhe tetë të ekuipazhit llogariten se kanë humbur jetën.
Mediat ruse lajmërojnë se janë gjetur mbetjet e avionit të rrëzuar dhe se nga deti janë nxjerrë së paku 10 trupa të pajetë.
Ministria gjithashtu njofton se avioni Tu-154 është prodhuar 30 vite më parë, dhe se prishja e fundit është regjistruar nga fundi i vitit 2014, ndërsa kontrollimi i rregull i avionit për herë të fundit është bërë në shtator të këtij viti.