Ekip
07 Qershor 2018•Përditësim: 07 Qershor 2018
MOSKË (AA) – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se 12 stadiumet në të cilat do të luhet Kampionati Botëror në futboll, parasëgjithash do të duhet të mirëmbahen vetë, të jenë financiarisht të pavarur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e kreut të shtetit rus, u bënë pas deklaratave të disa zyrtarëve të shtetit, të cilët kërkuan subvencionim të qeverisë.
Putin tha sot se të gjitha objektet do të duhet të jenë në gjendje të mbulojnë shpenzimet e tyre. Ai porozoi që stadiumet të shtojnë në përmbajtjet e tyre kafeteri ose qendra tregtare të cilat do të rrisin përfitimet.
"Shpenzuam shumë para dhe pajtohem se stadiumi duhet të punojë për të mirën e sportit", tha Putin.
Zyrtarët rajonalë thonë se kostoja vjetore e mirëmbajtjes së stadiumeve të Kampionatit Botëror është mes 200 dhe 400 milionë rubla (2.7 - 5.4 milionë euro).
Qeveria ruse bëri të ditur se totali i shpenzimeve për organizimin e eventit më të madh botëror të futbollit është rreth 9.3 miliardë euro.