Ceyhun Alizade
28 maj 2023•Përditësim: 29 maj 2023
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, për suksesin e tij në zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu.
Kremlini njoftoi se presidenti rus tha se vlerëson kontributin e presidentit turk në forcimin e “marrëdhënieve miqësore” midis Moskës dhe Ankarasë, si dhe shprehu gatishmërinë e tij për vazhdimin e “dialogut konstruktiv” në agjendën dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare.
“Fitorja në zgjedhje ishte një rezultat i natyrshëm i punës suaj vetëmohuese si kreu i Republikës së Türkiyes, dëshmi e qartë e mbështetjes së popullit turk për përpjekjet tuaja për të forcuar sovranitetin shtetëror dhe për të ndjekur një politikë të jashtme të vetëqëndrueshme dhe të pavarur”, tha Putin.
Më tej, Putin theksoi se Rusia i kushton rëndësi të madhe zbatimit të mëtejshëm të projekteve të përbashkëta me Türkiyen, duke përfshirë termocentralin bërthamor ‘Akkuyu’ në Türkiyen jugore dhe themelimin e një qendre gazi në vend.
Sipas të dhënave nga Këshilli Suprem Zgjedhor (YSK) nga 99,43 për qind të votave të numëruara, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale Erdoğan kryeson me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 47,86 për qind të votave.
Më 14 maj, asnjë kandidat nuk fitoi 50 për qind të votave të kërkuara, duke çuar zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind. Në atë datë, aleanca e tij elektorale gjithashtu fitoi një shumicë në parlamentin turk.