Hacer Başer
08 Korrik 2021•Përditësim: 08 Korrik 2021
Përfaqësuesi special i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit kundër-Terrorizmit dhe për Ndërmjetësim, Mutlak al-Kahtani diskutoi për bisedimet e paqes në kryeqytetin Doha me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit thuhet se "Amir Shejh Tamim bin Hamed Al Thani i dërgoi një letër me shkrim presidentit të Afganistanit, Ghani në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për t'i mbështetur dhe zhvilluar këto marrëdhënie".
Në njoftim thuhet se përfaqësuesi special, Mutlak al-Kahtani e përcolli këtë letër nga Emiri te Ashraf Ghani, i cili e priti atë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ku u diskutuan zhvillimet në Afganistan dhe bisedimet në Doha.
Në një deklaratë nga talebanët më 9 qershor thuhet se kishte rifilluar raundi i tretë i bisedimeve me delegacionin e qeverisë Afgane në Doha.
Procesi i paqes me talebanët
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes midis SHBA-së dhe talebanëve më 29 shkurt 2020, bisedimet midis afganëve filluan më 12 shtator të vitit të kaluar.
Në ceremoninë e hapjes së bisedimeve në Doha morën pjesë Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, komandanti i NATO-s dhe i Forcave Amerikane në Afganistan, gjenerali Austin Scott Miller dhe delegacione që përfaqësojnë qeverinë afgane dhe talebanët.
Raundi i dytë i bisedimeve filloi më 7 janar 2021, por nuk pati asnjë rezultat të dukshëm nga bisedimet.