Hasan Esen
26 Mars 2018•Përditësim: 26 Mars 2018
MADRID (AA) - Pesëdhjetë e dy persona, prej të cilëve katër policë, janë lënduar dhe tre të tjerë janë arrestuar në protestat e inicuara nga mbështetësit e pavarësisë pas arrestimit të ish-presidentit të Qeverisë Autonome të Katalonjës Carles Puigdemont në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dhjetra mijëra separatistë dolën në rrugë në qytetet Barcaelona, Girona, Lleida dhe Tarragona pas thirrjes të partive mbështetëse të pavarësisë dhe organizatave të shoqërisë civile.
Sipas agjencisë zyrtare spanjolle të lajmeve EFE, rreth 56 mijë persona i janë bashkangjitur protestave të ndryshme, njëra para Konsullatës Gjermane në Barcelonë dhe tjetra para ndërtesës së qeverisë lokale.
Në njërën prej protestave në Barcelonë, protestuesit marshuan drejt ndërtesës së qeverisë autonome, e cila ndodhet nën kontrollin e qeverisë qendrore. Policia ka ndërprerë rrugën, duke ndërhyrë me shkopinj ndaj separatistëve të cilët kanë tentuar të hyjnë në ndërtesën qeveritare.
Nga ana tjetër, protestuesit në Lleida kanë kaluar barrikadën policore dhe janë përpjekur të hyjnë në ndërtesën e qeverisë autonome. Protestuesit janë ndaluar nga policia në çastin e fundit.
Ndërkaq, incidente nuk janë shënuar në protestën në Girona, ku Puigdemont më herët ka qenë kryetar bashkie, edhe pse numri i protestuesve arrit në dhjetë mijë.
52 të lënduar, 3 të arrestuar
Në Sallent dhe Tarragona, qindra persona bllokuan rrugët dhe shkaktuan kolona të gjata automjetesh.
Po ashtu, protestuesit kanë shkruar shprehjen "fashist" në muret në afërsi të shtëpisë së gjykatësit të Gjykatës së Lartë Pablo Llarena në qytezën Das të Katalonjës, pasi i njëjti kishte lëshuar vendimin për arrest të Puigdemont dhe liderëve të tjerë katalanë. Këshilli i Lartë Gjyqsor i Spanjës e ka dënuar incidentin dhe ka kërkuar masa nga Ministria e Brendshme.
Zyrtarët shëndetësorë të Katalonjës bënë të ditur se katër policë dhe 46 protestues janë plagosur në Barcelonë, kurse dy protestues gjatë incidenteve në Lleida.
Policia ka arrestuar tre persona gjatë intervenimit.
Thirrje për grevë
Elisenda Paluzie, kryetarja e Asamblesë Nacionale Katalane (ANC), organizatë separatiste e shoqërisë civile, ka theksuar se "shpreson që Gjermania të mos ia dorëzojë një president të zgjedhur një drejtësia autoritare, e cila i ka shtrembëruar të gjitha të vërtetat".
Ndërkohë, anëtari i partisë majtiste ekstreme Kandidatura e Unitetit Popullor (CUP),Carles Riera, ka bërë thirrje për greve të përgjithshme, duke kërkuar "stopimin" e Katalonjës.
Zhvillimet vijnë pasi ish-presidenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës për të cilin ishte lëshuar urdhër arresti në Evropë, Carles Puigdemont, të dielën u arrestua në Gjermani dhe u dërgua në burgun e qytetit Neumünster në afërsi të Kielit.
Politikanët katalanë, të akzuar për "rebelim ndaj shtetit"për shkak të rolit në tentativën për pavarësi të njëanshme më 27 tetor pas referendumit të jashtëligjshëm të mbajtur më 1 tetor, ishin larguar nga vendi.
Gjykata e Lartë e Spanjës të premten lëshoi urdhër arresti në nivel evropian ndaj Puidgemnot dhe katër anëtarëve të kabinetit dhe ndaj Marta Rovira, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Majtë Republikane të Katalonjës (ERC) e cila kishte ikur në Zvicër.
Politikanët katalanë mund të përballen me burgim deri në 30 vite në qoftë se shpallen fajtorë.
Nëntë nga 25 politikanë katalanë të gjykuar për shpallje të pavarësisë janë paraburgosur, nëntë janë liruar me kaucion, kurse shtatë kishin ikur nga vendi.