Ali Rezzakoğlu
17 Maj 2022•Përditësim: 18 Maj 2022
Përleshje kanë shpërthyer sot në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, midis grupeve të armatosura besnike të kryeministrit Abdul Hamid Dbeibeh dhe liderit rival Fathi Bashagha, i cili u emërua së fundmi kryeministër nga parlamenti me bazë në Tobruk, raporton Anadolu Agency (AA).
Bashagha arriti në kryeqytet brenda natës për të marrë kontrollin e qeverisë nga Dbeibeh, i cili ka refuzuar të dorëzojë pushtetin.
Luftimet janë raportuar në zonat al-Mansoura dhe Souq al-Thulatha në qendër të Tripolit.
Khaled al-Mishri, kreu i Këshillit të Lartë të Shtetit të Libisë, dënoi dhunën dhe bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive.
Për më shumë se dy muaj, ka pasur dy qeveri në Libi: Qeveria e Unitetit Kombëtar e udhëhequr nga Dbeibeh dhe ajo që iu dha besimi në fillim të marsit nga Dhoma e Përfaqësuesve me bazë në Tobruk.
Dbeibeh ka thënë më parë se ai do t'i jepte autoritetin vetëm një qeverie që vjen përmes një "parlamenti të zgjedhur", duke ngritur frikën se vendi i pasur me naftë mund të rrëshqasë përsëri në një luftë civile.