Gülşen Topçu
02 Qershor 2020•Përditësim: 02 Qershor 2020
Misioni i Mbështetjes së OKB-ve në Libi (UNSMIL), njoftoi se qeveria e Libisë dhe lideri i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, kanë pranuar të rifillojnë bisedimet për armëpushim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, UNSMIL njoftoi se bisedimet për armëpushim dhe rregulloret lidhur me sigurinë do të realizohen bazuar në marrëveshjen që misioni i OKB-së ka paraqitur në bisedimet e komitetit të përbashkët ushtarak në formatin 5+5 më 23 shkurt.
"Palët ranë dakord të ulen në tryezën e dialogut pas thirrjeve të libianëve që duan të kenë një jetë dinjitoze dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur", thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se OKB është e kënaqur nga ky vendim i palëve.
Gjithashtu në deklaratë urohet që të gjitha palët kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në çështjen e Libisë t‘i përgjigjen thirrjeve të popullit libian për t‘i dhënë fund luftës dhe që negociatat 5+5 të përgatisin bazën e një armëpushimi përfundimtar.
UNSMIL, po ashtu theksoi se "ndërprerja e konflikteve është e rëndësishme që autoritetet libiane të përqendrojnë të gjitha mundësitë e tyre në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe për të përballuar nevojat njerëzore të libianëve".
Ndërkohë asnjë deklaratë nuk është bërë nga qeveria e Libisë dhe Khalifa Haftar të cilët janë palë në negociata.
Pas Konferencës së Berlinit me temë Libinë që u mbajt në muajin janar në Gjermani, u vendos të formohen tre tryeza të veçanta të negociatave nën kujdesin e OKB-së për të zgjidhur krizën në vend mes vendeve pjesëmarrësve dhe palëve libiane.
Një prej tryezave të bisedimeve ishin negociatat e emërtuara 5+5 të përbërë nga 5 përfaqësues të sigurisë nga qeveria Libisë dhe pala e Khalifa Haftarit për bisedimin e një armëpushimi të përhershëm nën kujdesin e OKB-së. Në kuadrin e planit për zgjidhje të OKB-së, ishin planifikuar dy tryeza të veçanta bisedimesh që do të mblidhnin palët kundërshtare për udhërrëfyesin ekonomik dhe politik.
Por qeveria e Libisë në fund të muajit shkurt njoftoi pezullimin e bisedimeve pasi milicët e Haftarit vazhduan sulmet e tyre kundrejt Tripolit teksa vazhdonin bisedimet.