İdris Okuducu
06 Tetor 2016•Përditësim: 07 Tetor 2016
ERBIL (AA) - Zëdhënësi i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Sefin Dizaji, ka theksuar se kampet Bashika dhe Duberdan ku ushtarët turq trajnojnë policinë e Musulit dhe forcat vullnetare janë formuar me njohurinë dhe pëlqimin e qeverisë qendore të Irakut dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Dizaji u shpreh se "Pas intensifikimit të sulmeve të organizatës terroriste DAESH, krahas forcave të koalicionit ndërkombëtar shumë vende ofruan ndihmë për rajonin e Kurdistanit dhe Irakun në çështjen e ndihmave ushtarake dhe në trajnimin dhe pajisjen e forcave. Në këtë kontekst, me dijeninë dhe pëlqimin e qeverisë federale të Irakut dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në rajonet Bashika dhe Duberdan, në afërsi të Musulit u formuan dy kampe për trajnimin e policisë së Mosulit dhe forcave vullnetare."
Ndër të tjera duke vënë në dukje se qeveria Rajonale Kurde e Irakut ka ndihmuar dhe ka ofruar lehtësira në procesin e formimit të kampeve në fjalë Dizaji tha se "Në kuadër të kësaj edhe ekspertët ushtarakë turq nisën të trajnojnë policinë e Mosulit dhe forcat vullnetare në të dy kampet."
Pasi ka nënvizuar se kampet ku janë vendosur ushtarët e Turqisë janë vizituar edhe nga ministri irakian i Mbrojtjes, Dizaji u shpreh se "Kryesia dhe qeveria e rajonale përveç këtyre zhvillimeve nuk ka dijeni për ndonjë program tjetër".