Ali Murat Alhas
21 Maj 2020•Përditësim: 22 Maj 2020
Qeveria e Libisë synon të sigurojë kontrollin mbi të gjitha territoret në vend, përfshirë ato që aktualisht janë nën kontrollin e komandantit puçist Khalifa Haftar, tha zëdhënësi i qeverisë, Mohamed Geblawi, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Qëllimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) është të vendosë një kontroll të sigurt mbi gjithë territorin libian", tha Geblawi në një deklaratë.
"Kjo kërkohet për të mundësuar një dialog politik produktiv midis të gjithë libianëve që ndajnë vizionin e një shteti civil dhe demokratik", tha ai.
Ushtria së fundmi u ka shkaktuar goditje të mëdha militantëve të Haftarit me një fushatë ajrore në të cilën u shkatërruan shumë sisteme të mbrojtjes ajrore "Pantsir" të prodhuara në Rusi.
Një nga arritjet më të rëndësishme të ushtrisë ishte rimarrja e bazës ajrore Al-Watiya, një bazë ushtarake e rëndësishme strategjike që ishte nën kontrollin e Haftarit për vite me radhë.
Ditëve të fundit, ushtria vazhdoi operacionet e suksesshme, duke rifituar kontrollin e tre qyteteve.
GNA është sulmuar nga forcat e armatosura të Haftarit që nga prilli i vitit 2019 me qëllim kapjen e kryeqytetit Tripoli dhe më shumë se një mijë njerëz janë vrarë si pasojë e dhunës.
Qeveria nisi operacionin "Stuhia e Paqes" më 26 mars për të kundërshtuar sulmet ndaj kryeqytetit.
Pas rrëzimit të udhëheqësit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.