Ali Cura
27 Mars 2022•Përditësim: 28 Mars 2022
E ashtuquajtura Republika Popullore e Luhanskut e kontrolluar nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, planifikon të mbajë një referendum për t'u bashkuar me Rusinë në një kohë të shpejtë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i të ashtuquajturës Republika Popullore e Luhanskut, Leonid Pasechnik për të cilën Rusia njohu pavarësinë e saj para se t'i shpallte luftë Ukrainës, tha në një deklaratë se "Së shpejti mendoj që një referendum do të mbahet në territoret e republikës ku populli do të përdorë të drejtën kushtetuese dhe ku do të shprehë mendimet lidhur me çështjen për t‘iu bashkuar Federatës së Rusisë. Jam i sigurt se kjo do të ndodhë".
- Rusia më 21 shkurt njohu pavarësinë"
Pas ngjarjeve në vitin 2014 në sheshe në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, separatistët pro-rusë shpallën qeveritë nën emërtimet republikat e ashtuquajtura Donetsk dhe Lugansk në rajonin Donbas në lindje të vendit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin me një ceremoni të mbajtur më 21 shkurt në Pallatin e Kremlinit njohu pavarësinë e të ashtuquajturave Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut. Në ceremoninë në fjalë morën pjesë edhe përfaqësues të administratave në fjalë. Në ceremoni u nënshkruan edhe marrëveshjet e "miqësisë" dhe "bashkëpunimit" mes Rusisë dhe administratave separatiste në fjalë.
Putin në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit iu drejtua popullit me një fjalim nga televizioni dhe njoftoi se "kanë filluar një operacion special ushtarak ndaj Donbasit në lindje të Ukrainës" dhe se në këtë mënyrë filloi edhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës.
Duke shpjeguar arsyen e fillimit të luftës ndaj Ukrainës, Putin vuri në dukje se administratat në fjalë kanë kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia.