Besar Ademi
03 Mars 2016•Përditësim: 03 Mars 2016
GJEVGJELI (AA) – Që nga orët e mëngjesit të sotëm kufiri i Maqedonisë është i mbyllur tërësisht për refugjatët, ndërsa në anën greke ku presin për të kaluar kufirin mbi 10 mijë refugjatë sipas forcave policore maqedonase, në shenjë proteste kanë bllokuar hekurudhën ndërkombëtare që lidh Greqinë me Maqedoninë, raporton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të bllokimit të hekurudhës ndërkombëtare, në pikën kufitare gati 3 orë qëndron i bllokuar një tren mallrash, i cili pengon edhe kalimin e rregullt të refugjatëve në territorin e Maqedonisë.
Në anën greke në pritje për të kaluar kufirin janë mbi 10 mijë refugjatë dhe situata në qendrën për pritje në Idomeni gjithnjë e më shumë përkeqësohet. Ata presin në rradhë të gjata me kilometra për të marrë ushqim apo trajtim mjekësor.
Ndërkohë që në anën greke mijëra refugjatëve u kufizohet ushqimi apo nevojat tjera mjekësore dhe higjienike, në anën maqedonase ndodhen vetëm një numër i vogël i refugjatëve, të cilët kaluan kufirin mëngjesit e sotëm. Ata pas dhjetëra ditëve pritje për të kaluar kufirin, shprehen të habitur nga kushtet që u ofrohen në anën maqedonase në krahasim me atë greke.
Kemal-i nga Siria, i cili dy javë ditë ka pritur për të kaluar kufirin greko-maqedonas, mëngjesin e sotëm ka arritur të hyjë në territorin e Maqedonisë. Ai theksoi se në anën greke kushtet për jetesë janë të mjerueshme, ndërsa në anën maqedonase janë pritur shumë mirë.
“Në Idomeni gjendja është shumë e rëndë. Kampi është tejet i stërmbushur dhe në rradhë pritnin me mijëra njerëz për të marrë ushqimin. Gjithmonë pritja më së paku katër orë për të marrë një pjesë të vogël ushqim. Në kampin në Gjevgjeli kushtet janë shumë më të mira, na ofrojnë çdo gjë çfarë na nevojitet, përfshirë edhe kafe dhe çaj”, u shpreh Kemal-i.
Temmam-i, një refugjat tjetër nga Iraku, i cili poashtu mëngjesin e sotëm kaloi kufirin, në Greqi ka pritur mbi 10 ditë. “Në Idomeni ndodhen 12 mijë persona dhe jetojnë në kushte shumë të këqija. Në Idomeni duheshin tre orë për të marrë ushqim, ndërsa sapo hyra në Maqedoni, menjëherë më ofruan ushqim. Në Idomeni nuk kishim as tualet apo banjo, këtu kemi gjithçka çka na nevojitet”, u shpreh ai.
Koordinatorja e UNHCR-së në kufirin jugor të Maqedonisë, Barbara Clozi njoftoi se situata me refugjatët në Gjevgjeli është në rregull, përveç rreth 120 refugjatëve të cilët janë kthyer nga Tabanoci për shkak të problemeve me dokumentet dhe janë duke pritur në hyrje të kampit se çka do të vendoset për ata.
“Treni i fundit me rreth 450 refugjatë u nis në ora 3 të mengjesit dhe ka arritur në Tabanoc në ora 7 të mëngjesit. Situata në qendrën për pritje në Gjevgjeli është e qetë dhe numri i refugjatëve është i vogël. Tani për tani të gjithë refugjatëve u ofrohen nevojat në kohë. Problemi i vetëm është tek rreth 120 refugjatët irakian, që janë kthyer nga Tabanoci dhe presim për vendimin që do të merret, do të kthehen në Greqi ose do të jepet ndonjë mundësi për të vazhduar udhëtimin”, tha Barbara Clozi.
Në krahasim me kufirin jugor të Maqedonisë, në atë verior në pritje për të kaluar në territorin e Serbisë janë rreth 1 mijë refugjatë dhe situata në kampin verior është e rëndë. Autoritetet maqedonase vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë me numrin e refugjatëve që do të pranojnë në vend, numër i cili varet nga vendet tjera të “rrugës ballkanike”.