Umur Koçak Semiz
03 Mars 2016•Përditësim: 04 Mars 2016
TUBAN (AA) - Pas tërmetit të djeshëm me magnitutë 7.9 ballë sipas shkallës Rihter që goditi bregdetin perëndimor të Indonezisë, sot janë regjistruar dy tërmete më të dobëta, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia indoneziane e Meteorologjisë, Klimës dhe Gjeofizikës (BMKG) njoftoi se sot herët në mëngjes janë regjistruar dy tërmete në ishullin Mentawai, me magnitutë 5.3 dhe 5.8 ballë sipas shkallës Rihter.
Në deklaratën e BMKG-së thuhet se që të dy tërmetet janë regjistruar në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Avionët e forcave indoneziane janë duke fluturuar mbi rajonin e tronditur për të përcaktuar nëse tërmetet eventualisht kanë shkaktuar dëme.
Pas tërmetit 7.9 ballësh që goditi bregdetin perëndimor të Indonezisë, autoritetet kompetente kanë lëshuar paralajmërim për cunami i cili më vonë u hoq. Në këtë tërmet nuk pati viktima në njerëz dhe as të plagosur.