Besar Ademi,Admir Fazlagikj
28 Mars 2016•Përditësim: 28 Mars 2016
IDOMENI (AA) – Rreth 12 mijë refugjatë në kampin në Idomeni, i cili ndodhet në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, të vendosur në tenda brenda dhe jashtë kampit vazhdojnë të presin me shpresë se një ditë do tu jepet mundësia të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt vendeve të Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të mungesës së kapacitetit për tu marrë me një numër aq të madh të refugjatëve në Idomeni, të cilët mbi një muaj janë të bllokuar në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, gjendja e tyre nga dita në ditë përkeqësohet.
Refugjatët në këtë gjendje të mjerueshme, në mënyra të ndryshme përpiqen që të krijojnë kushtet themelore të jetesës. Ata në hapësira të vogla jashtë tendës mundohen të përgatisin ushqimin apo të kujdesen për higjienën e tyre, ndërsa gjatë natës përdorin qirinj për të ndriçuar tendat.
Autoritetet greke kërkojnë nga refugjatët që të tërhiqen nga Idomeni në kampe tjera dhe më pas të aplikojnë në programin e Bashkimit Evropian për zhvendosjen e tyre ose të kërkojnë azil në Greqi. Mirëpo, refugjatët me shpresë se një ditë do të hapen kufijtë e “Rrugës Ballkanike”, përpiqen që të qëndrojnë sa më afër kufirit, me synim që sa më shpejt ta kalojnë kufirin dhe të vazhdojnë drejt vendeve të Evropës Perëndimore.