Besar Ademi,Cuneyt Davut
03 Prill 2016•Përditësim: 04 Prill 2016
POLIKASTRO (AA) – Në një pikë karburanti në qytetin grek, Polikastro, ku janë të vendosur mbi dy mijë refugjatë, që nga mbrëmja e djeshme në shenjë proteste kanë bllokuar autostradën kryesore që lidh Greqinë dhe Maqedoninë, si pasojë e së cilës komunikacioni zhvillohet me vështirësi, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra refugjatë kanë arritur që të vendosin tendat e tyre në autostradë, ku edhe gatuajnë ushqim dhe flenë. Ata thonë se nuk do të largohen nga autostrada deri sa të hapet kufiri dhe tu mundësohet të vazhdojnë drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Polikastro ndodhet rreth 20 kilometra larg pikës kufitare greko-maqedonase dhe në krahasim me kampin në Idomeni, organizatat humanitare refugjatëve këtu u mundësojnë të gjitha nevojat themelore për jetesën. Duke filluar nga pika kufitare greko-maqedonase deri në Selanik, në pikat e karburanteve të cilat ndodhen në autostradën kryesore, me mijëra refugjatë janë të vendosur nëpër tenda, ndërsa vetëm në Idomeni ndodhen rreth 12 mijë.
Autoritetet greke kanë paralajmëruar se që nga dita e nesërme do të fillojnë me kthimin e refugjatëve dhe emigrantëve që kanë kaluar ilegalisht përmes Turqisë, por refugjatët me shpresë se një ditë do të hapen kufijtë refuzojnë të kthehen prapa në Turqi.