Mohamad Misto,Adham Kako,Selen Temizer
25 Shkurt 2018•Përditësim: 26 Shkurt 2018
GUTA LINDORE/ANKARA (AA) – Regjimi i Bashar al-Asadit përkundër vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për armëpushim në Siri, përsëri përdori armë kimike në Gutën Lindore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardha) në një deklaratë nëpërmjet llogarisë në rrjetin social njoftoi se regjimi i Asadit ka goditur me armë kimike me përmbajtje të gazit klorin qytezën Shifonije.
Poashtu edhe zyrtarët e spitalit Duma në një deklaratë për AA njoftuan se 16 civilë janë prekur nga gazi helmues.
Regjimi i Asadit gjatë dy muajve të fundit ka sulmuar 3 herë qarkun Duma me gaz klorin.
Burimet spitalore bëjnë të ditur se përveç sulmit me përmbajtje kimike, në bombardimet gjatë ditës së sotme ka humbur jetën një fëmijë.
Forcat e regjimit sirian që nga orët e mëngjesit të ditës së sotme kanë kryer sulme tokësore dhe ajrore ndaj rajoneve Duma, Haresta, Shifoniyye, Kefer Batna, Hammuriye, Sakba, Baeyt Sava dhe Merxh të Gutës Lindore. Si pasojë e këtyre sulmeve humbën jetën 4 civilë.
Me këtë ka arritur në 5 numri i personave që humbën jetën nga sulmet e regjimit të cilat nisën nga orët e mëngjesit.
Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Idlib dhe Hama, forcat e regjimit që nga orët e mëngjesit kanë marrë në objektiv hapësirat civile të qarkut Xhisr Esh Shugur të Idlibit me gjuajtje artilerike ndërsa kanë sulmuar nga ajri rajonin Kefer Zita të qytetit Hama, në pjesën qendrore të shtetit.
Me projekt-rezolutën e miratuar mbrëmë nga KS-OKB-ja me një votim unanim u vendos për të paktën një muaj armëpushim humanitar për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri dhe veçanërisht për evakuimin e njerëzve të sëmurë dhe të plagosur rëndë në Gutën Lindore e cila gjendet nën rrethimin e regjimit.
Në vendim kërkohet dërgimi në mënyrë të "sigurtë, pa pengesë dhe të vazhdueshme" i ndihmave humanitare në të gjithë Sirinë dhe ndalimin për të paktën 30 ditë të konflikteve "pa vonesë" nga të gjitha palët për evakuimin e "të sëmurëve dhe të plagosurve rëndë".