Ekip
16 Prill 2016•Përditësim: 16 Prill 2016
TOKIO (AA) – Në mënyrë të vazhdueshme rritet numri i viktimave nga tërmetet me fuqi prej 6.5 dhe 7.3 ballë sipas Rihterit, që goditën Japoninë jugperëndimore gjatë të enjtes mbrëma dhe të shtunës herët në mëngjes sipas kohës lokale. Autoritetet deri tani konfirmuan se kanë humbur jetën së paku 31 persona, 22 të shtunën dhe nëntë të enjten, raporton Anadolu Agency (AA).
Thuajse 2.000 persona janë lënduar në rajonin Kyush. Rastet e vdekjes të shtunën u regjistruan në prefekturën Kumamoto, ndërsa shumica e viktimave janë shtypur ose pas shembjes së ndërtesave ose nga rënia e objekteve të ndryshme mbi ta. Agjencia për parashikimin e motit të Japonisë njoftoi se në malin Aso është vërejtur një shpërthim i vogël i vullkanit, por hodhën poshtë çfarëdo lidhje mes dridhjeve dhe këtij shpërthimi.
Besohet se 11 persona, në mesin e të cilëve edhe studentë, janë ngujuar nën katër ndërtesa të cilat u shembën në afërsi të universitetit Tokai dhe qyteti Aso.
Është paraqitur edhe një kërcënim i ri, nga moti me shi i shoqëruar me erë të fortë, që mund të sjell rrëshqitje të reja në Japoninë jugore, e cila u godit nga tërmeti.
Për këtë shkak qindra njerëz presin në radhë para dyqaneve që të blejnë ushqim dhe ujë, për të kaluar mbrëmjen në strehimore.
Në aeroportin në Kumamot një pjesë e tavanit të ndërtesës është shembur për çka janë anuluar të gjitha fluturimet, ndërsa bashkia e qytetit Uto pjesërisht u shemb. Në fshatin Minamiaso ka patur rrëshqitje toke e cila ka mbuluar një pjesë të autostradës kombëtare dhe shkatërroi urën.
Aktualisht nuk ka informacione për dëmtime eventuale në dy centralet bërthamore në rajonin Kyush. Në qytetin Kumamoto rreth 69.000 persona u evakuuan, ndërsa pa rrymë mbetën rreth 160.000 famijle.