Ekip
15 Gusht 2018•Përditësim: 15 Gusht 2018
ROMË (AA) – Së paku 37 persona kanë humbur jetën gjatë shembjes së urës Morandi në autostradën A10 në Gjenovë, konfirmuan zyrtarët italianë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ura Morandi u shemb të martën me dhjetëra automjete që gjendeshin mbi të. U rrëzuan nga një lartësi prej rreth 50 metra, ndërsa u lënduan 16 persona. Dyshohet se shkaku i shembjes është era e fuqishme.
Dy ditë zie në Gjenova, zyrtarët fajësojnë kompaninë përgjegjëse për shembjen e urës
Ministri italian i Infrastrukturës dhe Transportit, Danilo Toninelli, sot ka thënë se nuk do të mbesin pa ndëshkuar përgjegjësit për shembjen e urës Morandi dhe humbjen e 37 jetëve.
Në mesin e viktimave ndodhen edhe fëmijë të moshave 8, 12 dhe 13 vjeç. Pesë persona akoma nuk janë identifikuar, ndërsa 16 kanë pësuar lëndime, prej të cilëve 12 janë në gjendje kritike.
Në vijim janë operacionet e kërkim-shpëtimit si nga rrënojat, ashtu edhe nga lumi. Në Gjenova është shpallur dy ditë zie.
Ministri italian tha se në një vend të civilizuar, njerëzit nuk duhet të vdesin në rrënojat e urës.
"Dua të theksoj se duhet të ndëshkohen përgjegjësit e kësaj tragjedie të panevojshme. Kompanitë të cilat menaxhojnë autostradat tona kanë taksat më të larta rrugore në Evropë, por paguajnë kompensime marrëzisht të ulëta. Ndërsa fitojnë miliarda, paguajnë taksa vetëm disa milionëshe dhe madje nuk bëjnë punën e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Krerët e drejtorisë së Autostrade per l'Italia duhet të japin dorëheqje. Nëse nuk mund të menaxhojnë autostradat tona, këtë do ta bëjë shteti", ka thënë Toninelli në një deklaratë.
Ai shtoi se autoritetet kanë nisur një procedurë për gjobë në lartësi deri në 150 milionë euro. Toninelli nënvizoi se do të rregullojë rrugët dhe përsëri do të rindërtojë urën. Ai paraljmëroi se do të kontrollojnë infrastukturën dhe sigurinë e urave ashtu që "një masakër e tillë të mos përsëritet më kurrë".
Rreth llogarisë për përgjegjësit foli dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm Matteo Salvini. Ai kritikoi kufizimet buxhetore të Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se siguria e qytetarëve italianë është mbi të gjitha.
Ndërkaq, ministri i Ekonomisë Giovanni Tria deklaroi se është paraqitur nevoja për një plan të madh investues për infrastrukturën publike pa kufizime buxhetore, që është prioritet kryesor i qeverisë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Punës dhe Politikës Sociale, Luigi Di Maio, deklaroi se fajtore për fatkeqësinë është kompania Autostrade per l'Italia.
Ai theksoi se kompania nuk ka kryer punët e nevojshme rreth mirëmbajtjes së urës.
Kryeministri i Italisë Guiseppe Conte konsideroi se kjo nuk është një pikëllim vetëm për Gjenovën, por për mbarë Italinë. Ai tha se qeveria do të përpilojë një plan të jashtëzakonshëm për kontrollin e të gjitha objekteve infrastrukturore, veçanarisht ato të vjetrat.
"Të gjithë qytetarët duhet të udhëtojnë të sigurtë", ka thënë Conte.
Ura Morandi u shemb të martën me dhjetra automjete që ndodheshin mbi të. Ata u rrëzuan nga një lartësi prej rreth 50 metrash. Lëndime kanë pësuar 16 veta. Pretendohet se shkak i shembjes ishte era e fortë.
Ky ishte një viadukt i cili ishte i njohur me emrin Morandi, i ndërtuar në vitin 1960. Mediat Italiane raportojnë se shkak i shembjes ishte konstrukti i dobët.
Ura u rindërtua në vitin 2016 dhe kalon mbi një qendër tregtare, fabrika dhe objekte të banimit, hekurudhën Gjenova-Milano dhe mbi lumin Polcevera.