Ayhan Şimşek
28 Prill 2020•Përditësim: 28 Prill 2020
Shkalla e transmetimit të koronavirusit të ri (COVID-19) në Gjermani është rritur këtë javë, bëri të ditur agjencia e vendit për kontrollin e sëmundjeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, prof. Lothar Wieler, drejtuesi i Institutit Robert Koch (RKI), tha se niveli i transmetimit është rritur në pragun 1.0, domethënë secili person me koronavirus tani infekton mesatarisht një person tjetër.
"Ky numër duhet të qëndrojë nën 1.0, ky është qëllimi ynë kryesor", theksoi ai.
Shkalla e transmetimit ishte gati 3.0 muajin e kaluar, por pas masave të rrepta të izolimit në të gjithë vendin, ajo ra në 1.3 më 7 prill dhe më tej në 0,7 më 16 prill.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në mënyrë të përsëritur ka nënvizuar rëndësinë e marrjes së këtij niveli nën 1.0, përpara se të diskutonte për zbutjen e mëtejshme të masave të bllokimit.
Javën e kaluar, qeveria lejoi të rihapnin dyqanet e vogla, por kafenetë, restorantet dhe dyqanet e mëdha mbeten të mbyllura.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi sot në Gjermani arriti në 6.128, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve afër 159,000, sipas firmës për analizën e të dhënave Risklayer dhe Instituti i Teknologjisë Karlsruhe.
Pothuajse 118,000 persona janë shëruar nga virusi deri më tani, njoftoi Instituti Robert Koch.
Gjermania ka numrin e pestë më të lartë të infektimeve të raportuara COVID-19 në botë, pas SHBA-ve, Spanjës, Italisë dhe Francës.