Simgenur Akbolat
13 Janar 2025•Përditësim: 13 Janar 2025
Sipas një grupi mbrojtës të transportit të pastër, planet e industrisë së aviacionit për t’u zgjeruar janë në kundërshtim me objektivat e Bashkimit Evropian (BE) për klimën, transmeton Anadolu.
Një raport i grupit Transporti dhe Mjedisi me bazë në Bruksel paralajmëroi se nëse trafiku i pasagjerëve dyfishohet deri në vitin 2050, siç është planifikuar nga prodhuesit e avionëve Airbus dhe Boeing, sektori do të djegë 59 për qind më shumë karburant në vitin 2050 sesa në vitin 2019.
Derisa përmirësimet e efikasitetit dhe përdorimi i karburanteve të qëndrueshme të aviacionit (SAF) pritet të kontribuojë në reduktimin e emetimeve, grupi paralajmëroi se këto përpjekje do të errësohen nga një rritje eksponenciale në udhëtimet ajrore.
Rregullorja e BE-së për karburantet e gjelbra mandaton përdorimin e 42 për qind të karburanteve SAF deri në vitin 2049. Megjithatë, grupi paralajmëroi se edhe me këtë masë, sektori akoma mund të konsumojë po aq vajguri fosil sa në vitin 2023.
Komisioni Evropian është angazhuar të reduktojë emetimet me 90 për qind deri në vitin 2040 krahasuar me nivelet e vitit 1990.
Megjithatë, sipas skenarëve të rritjes nga kompanitë Airbus dhe Boeing, emetimet e aviacionit në vitin 2049 do të jenë vetëm 3 për qind nën nivelet e vitit 2019, duke e lënë sektorin të emetojë 79 milionë tonë CO2 në vitin 2050, viti që BE-ja u zotua të arrijë zero neto emetime të gazeve serrë.
“Një objektiv i tillë është krejtësisht i pakuptimtë pa politika konkrete për të reduktuar emetimet nga aviacioni”, tha Jo Dardenne, drejtoreshë e aviacionit në grupin Transporti dhe Mjedisi.
Midis viteve 2023 dhe 2050, sipas raportit, një shtesë prej 960 milionë tonë CO2 mund të çlirohet sipas këtyre parashikimeve, duke tejkaluar ndjeshëm modelimin e klimës së Komisionit Evropian.