Riyaz Khaliq Khaliq
09 Nëntor 2022•Përditësim: 09 Nëntor 2022
Mes një konflikti midis hakerëve dhe një kompanie sigurimesh, të dhënat e rreth 10 milionë klientëve, përfshirë kryeministrin Anthony Albanese, janë rrezikuar në Australi, transmeton Anadolu Agency (AA).
'Medibank Private Limited', e njohur gjithashtu si 'Medibank', ka pranuar se "të dhënat e 9.7 milionë klientëve të mëparshëm dhe të tanishëm janë thyer kur hakerët arritën qasje në një bazë të dhënash", raportoi ABC News.
"Kjo vërtet është e vështirë për njerëzit. Unë jam klient i 'Medibank Private' dhe është mjaft shqetësuese që një pjesë e këtyre informacioneve janë publikuar", tha Albanese në një konferencë për media.
Kompania është një nga ofruesit më të mëdhenj australianë të sigurimeve shëndetësore private, që mbulon rreth 3.7 milionë njerëz.
'Medibank' refuzoi të pranonte kërkesën për shpërblim të hakerëve dhe paralajmëroi se priste rrjedhje të mëtejshme të të dhënave, të disponueshme në darkweb, nga kriminelët kibernetikë.
"Duket se kriminelët kibernetikë kanë publikuar ato që ata i kanë quajtur lista 'e keqe' dhe 'e mirë' e njerëzve të njohur mes të dhënave që rrodhën", thuhet në raport.
Policia australiane ka thënë se ka përforcuar "Operacionin Guardian" që të "provojë të mbrojë të dhënat e klientëve".
“Lista e keqe përfshin rreth 100 individë, shumë me mbiemra të njohur, të cilët i janë nënshtruar trajtimit për përdorim të drogës ose alkoolit, ose për çështje të shëndetit mendor si çrregullimet e të ngrënit”, shtohet më tej.
Shefi ekzekutiv i Shoqatës së Alkoolit dhe Drogës së Victorias, Sam Biondo tha se: "Publikimi i informacioneve të tilla private mund të shkaktojë shumë dëm për njerëzit e prekur".
"Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese duke pasur parasysh stigmën që lidhet me individët që kanë probleme me alkoolin ose drogën", tha ai.
"Medibank ka ndjekur udhëzimet në mënyrë efektive", tha ndër të tjera Albanese.
"Këshilla ishte që të mos paguanin haraçin. Nëse shkoni në këtë rrugë, atëherë do të keni më shumë vështirësi në një gamë potencialisht më të gjerë. Por ne, përmes (ministres së Punëve të Brendshme) Clare O’Neil, do të përgjigjemi gjerësisht për këtë. Ne jemi të shqetësuar dhe do të vazhdojmë të monitorojmë këtë që po ndodh" tha kryeministri australian.