Barış Seçkin
24 Tetor 2016•Përditësim: 24 Tetor 2016
ROMË (AA) – Një avion i vogël i cili dyshohet se transportonte zyrtarë të Bashkimit Europian (BE) është rrëzuar pak pas nisjes në Maltë, raporton Anadolu Agency (AA).
Avioni i tipit metroliner me dy helika është nisur nga aeroporti Ndërkombëtarë i Maltës, Luqa, në drejtim të qytetit Misurata të Libisë. Avioni është rrëzuar menjëherë pasi është nisur në afërsi të aeroportit.
Avioni i rënë në orët e para të mëngjesit ka marrë zjarr. Një nga gazetat ditore të Maltës, Times of Malta, duke ju referuar burimeve të sigurisë, ka thënë se 5 personat e gjendur në bord kanë humbur jetën.
Gazeta Malta Today ka thënë se avioni i rrëzuar i përkiste Luksemburgut. Kjo gazetë shkruan se sipas informacioneve të konfirmuara, në bord kishte zyrtarë ushtarakë të BE-së dhe SHBA-së.
Nga ana tjetër Agjencia e Mbrojtjes së Kufijve të Jashtëm të BE-së, FRONTEX, ka deklaruar se avioni nuk ju përket atyre.
Ndërkohë Përfaqësuesja për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Federica Mogherini ka deklaruar se personat të cilët ndodheshin në bordin e avionit të rrëzuar në Maltë nuk ishin zyrtarë të BE-së.
Në një deklaratë në llogarinë e saj në Twitter, Mogherini ka thënë: ''Në avionin e rrëzuar në Maltë nuk kishte zyrtarë të BE-së. Fluturimi nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetet e BE-së.''