Kayhan Gül
05 Shkurt 2017•Përditësim: 05 Shkurt 2017
BUKURESHT (AA) - Pas protestave disaditore në Rumani, kryeministri Sorin Grindeanu ka deklaruar se do të diskutojnë për anulimin e vendimit i cili parasheh ndryshime në ligjin për amnisti dhe ndëshkim, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media para ndërtesës së qeverisë, Grindeanu ka theksuar se ditëve të fundit është takuar me shumë figura të partisë me të cilët kanë këmbyer ide të ndryshme në lidhje me çështjen. Ai ështe shprehur se si kryeministër i shtetit nuk dëshiron "një Rumani të ndarë në dysh".
Duke njoftuar se ka ndjekur protestat në tërë vendin, Grindeanu ka thënë se "Mora disa vendime në lidhje me çështjen. Nesër do të mblidhemi në mënyrë urgjente dhe do të diskutojmë për anulimin e vendimit".
Kryeministri Grindeanu po ashtu ka vënë në pah se nuk dëshiron armiqësi midis popullit të Rumanisë. "Gjatë kësaj periudhe kishte shumë informacione të pasakta dhe nuk arritëm që këtë ligj ta sqarojmë me kuptimin e plotë të tij. Rumania ka nevojë për paqe dhe stabilitet në mënyrë që të zhvillohet dhe të ketë demokraci", ka thënë Grindeanu.