Elena Teslova
14 Maj 2020•Përditësim: 14 Maj 2020
Për herë të parë në dy javë, Rusia raportoi rënie të rasteve ditore të koronavirusit nën 10.000 raste, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve mbërriti sot në mbi 252 mijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas azhurnimit më të fundit nga grupi i punës emergjente të vendit, 9.974 infeksione të reja u regjistruan gjatë 24 orëve të kaluara, duke rritur shifrat e përgjithshme në 252.245.
Gjatë së njëjtës periudhë, 93 persona humbën jetën, duke rritur numrin e vdekjeve në 2.305, ndërsa numri i të shëruarve arriti në 53.530, përfshirë 5.527 nga dita e djeshme.
Janë kryer mbi 6.1 milionë teste në vend deri më sot në përpjekje për të zbuluar infeksionin në fazat e hershme.
Përkundër masave të rrepta, të cilat përfshijnë bllokimin e kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjes së të huajve dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor, Rusia është vendi i dytë më i goditur nga COVID-19 për sa i përket numrit të rasteve.
Pesë zyrtarë të lartë rusë, përfshirë kryeministrin e vendit, Mikhail Mishustin dhe zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, u shtruan në spital për shkak të koronavirusit.
Pas shfaqjes së saj në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19 është përhapur në të gjithë botën. Aktualisht rajonet më të goditura janë Evropa dhe SHBA.
Pandemia ka marrë rreth 297.250 jetë në të gjithë botën, me 4.36 milionë të infektuar, ndërsa më shumë se 1.55 milionë njerëz janë shëruar nga virusi, tregojnë shifrat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins" në SHBA.