Fatjon Cuka
14 Maj 2020•Përditësim: 14 Maj 2020
Në Shqipëri rritet në 898 numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), me konfirmimin edhe të 18 rasteve të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njoftuar se në 24 orët të fundit janë testuar 191 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë, ku pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të mëparshme.
"Pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë. Në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19. Nga fillimi dhe deri tani, në vendin tonë janë kryer 11.769 testime", thuhet në njoftim.
Deri tani janë shëruar 694 pacientë, ndërkohë gjithsej 31 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Nga data 27 prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset, ndërsa prej datës 18 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.