Emre Gürkan Abay
07 Maj 2018•Përditësim: 08 Maj 2018
MOSKË (AA) – Vladimir Putin në ceremoninë e betimit të organizuar në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, zyrtarisht filloi detyrën si presidenti i Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Putin në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kremlinit ku morën pjesë rreth 3.000 mysafirë, përfshirë edhe anëtarët e Parlamentit të Federatës, të Dumas dhe Gjykatës Kushtetuese, filloi zyrtarisht detyrën si president i Rusisë.
Në ceremoninë e cila u transmetua drejtpërdrejt në kanalet televizive, Putin iu falënderua popullit për rizgjedhjen e tij si president.
“Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe ndaj popullit rus. Do të bëj çmos që populli ynë të jetojë në një të ardhme të begattë dhe në paqe”, tha ai.
Putin është zgjedhur si president për herë të parë në vitin 2000 ndërsa ishte rizgjedhur përsëri në vitin 2004. Për shkak se Kushtetuta e Rusisë nuk lejonte që një person të ushtrojë detyrën e presidentit më shumë se dy herë, gjatë viteve 2008-2012 Putin ushtroi detyrën e kryeministrit. Në zgjedhjet e vitit 2012 u rizgjodh si president duke marrë 63.6 për qind të votave.
Në zgjedhjet e muajit mars, Putin fitoi 76.69 për qind të votave. Mandatin e katërt si president i Rusisë do ta ushtrojë deri në vitin 2024.