Mohamad Misto,Adham Kako
07 Maj 2020•Përditësim: 08 Maj 2020
Rusia, elementët e armatosur në radhët e regjimit të Bashar al-Assadit, do t'i dërgojë për të luftuar në Libi në radhët e liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, duke i paguar nga 1.000 dollarë në muaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të siguruara nga burimet lokale, Rusia e cila mbështet regjimin e Assadit në Siri, planifikon të dërgojë mercenarë sirianë në radhët e Haftarit në Libi.
Një komandant i lartë rus dhe delegacioni i tij zhvilluan disa mbledhje nga 24 prilli deri më tani me elementet e armatosura që shërbejnë për regjimin e Assadit në këmbim të parave, në provincën Daraa.
Në bisedime, pala ruse, elementeve të armatosura në fjalë u propozoi kontratë të rinovueshme 3-mujore dhe nga 1.000 dollarë në muaj në këmbim për të luftuar në radhët e Haftarit në Libi.
Një grup kundërshtoi propozimin ndërsa një tjetër e pranoi kontratën.
Ata që pranuan propozimin, janë duke punuar që të mbledhin më shumë mercenarë në Daraa.
Këto elemente që do të marrin pagë nga Rusia, për një kohë të shkurtër do të kalojnë në trajnime të përshpejtuara në kampet ruse në Siri, pas së cilës do të dërgohen në Libi.
- Marrëveshje e ngjashme ka ndodhur edhe në provincën Quneitra
Po ashtu edhe muajin e kaluar Rusia arriti marrëveshje me 300-400 luftëtarë që punojnë për regjimin e Assadit në provincën Quneitra në kufirin me Izraelin.
Elementet e armatosura në Quneitra, të cilët arritën marrëveshje prej nga 1.000 dollarë, pas stërvitjes së tyre në Siri do të marrin pjesë në radhët e Haftarit.
Në radhët e Haftarit në Libi ndodhen shumë luftëtarë të huaj si mercenarë rusë, milicët Janjaweed nga Suani dhe rebelët e armatosur nga Çadi.