Seda Sevencan,Jeyhun Aliyev
09 Gusht 2022•Përditësim: 10 Gusht 2022
Ambasada ruse në Berlin i dorëzoi një notë proteste Ministrisë së Jashtme gjermane për vandalizimin e një monumenti ushtarak sovjetik në qytetin lindor Werneuchen, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ambasada vazhdon të regjistrojë akte vandalizmi kundër varreve dhe memorialëve ushtarake sovjetike në Gjermani. Së fundmi, një video u shfaq në internet në të cilën një mbështetës gjerman i ideve neo-naziste përdhos një memorial ushtarak sovjetik në qytetin Werneuchen, Shteti Federal Brandenburg, duke e shoqëruar veprën e tij me deklarata raciste", thuhet në një deklaratë të misionit diplomatik rus.
Sipas ambasadës ruse, ky është një "akt i neveritshëm dhe një përpjekje për të nxitur urrejtjen etnike, si dhe një përdhosje cinike e memorialit të ushtarëve që dhanë jetën për çlirimin e botës dhe Evropës nga nazizmi".
Ambasada u kërkoi qytetarëve që ishin dëshmitarë të vandalizimit të varrezave ushtarake sovjetike dhe vendeve përkujtimore që të informonin sa më shpejt ambasadën ruse në Gjermani, si dhe zyrat konsullore ruse, duke treguar vendndodhjen dhe kohën e incidenteve.