Ali Cura
05 Prill 2021•Përditësim: 05 Prill 2021
Rusia mbështet përpjekjet e Mbretit të Jordanisë, Abdullahu II, për të ruajtur stabilitetin dhe rendin e vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse, thuhet se Moska ndjek me kujdes ngjarjet në lidhje me "përpjekjen për të minuar stabilitetin dhe sigurinë në Jordani".
"Ne mbështesim autoritetet legjitime të Jordanisë dhe personalisht përpjekjet e Mbretit Abdullahu II për të ruajtur stabilitetin dhe rendin në vend", thuhet në deklaratë.
Në mbrëmjen e 3 prillit, u shfaqën pretendimet se njerëz të rangut të lartë u arrestuan për shkak të një komploti kundër Mbretit Abdullahu II në Jordani.
Gazeta "Washington Post" pretendoi se 20 persona u arrestuan në Jordani "me arsyetimin se përbënin një kërcënim për stabilitetin e vendit" dhe se vëllai i Mbretit Abdullahu II, Princi Hamza bin Hussein gjithashtu u arrestua në shtëpinë e tij në Aman.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Jordanisë, Gjeneral Majori Ahmed al-Hunaiti deklaroi se Hamza bin Hussein nuk u arrestua, por atij iu kërkua të ndalonte aktivitetet që mund të dëmtonin sigurinë e vendit.
Në lajmet e publikuara në agjencinë zyrtare të Jordanisë PETRA, thuhet se ish-Kryetari i Oborrit Mbretëror, Basseem Ibrahim Avadallah dhe disa nga personat e tij shoqërues u arrestuan për arsye sigurie.
Princ Bin Hussain ishte Princi i Kurorës gjatë viteve 1999-2004, por më vonë u emërua djali i madh i Mbretit Abdullahu II, Hussain bin Abdullah.