Elena Teslova
28 Prill 2023•Përditësim: 28 Prill 2023
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka deklaruar se predhat që përmbajnë uranium të varfëruar që Mbretëria e Bashkuar planifikon t’ia dërgojë Ukrainës mund të bien në duart e terroristëve, gjë që mund të krijojë rreziqe bërthamore në shkallë globale, transmeton Anadolu.
Duke folur në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në New Delhi, Shoigu tha se pothuajse e gjithë NATO-ja është e përfshirë në konfrontimin me Rusinë në Ukrainë.
Ai tha se përfshirja e Perëndimit në Ukrainë tregon se ata kishin planifikuar një konfrontim ushtarak me Rusinë për një kohë të gjatë.
SHBA-ja, tha ministri rus, shpenzoi rreth 5 miliardë dollarë për organizimin e një grusht shteti në vitin 2014 në Ukrainë, që çoi në formimin e një "regjimi armiqësor nacionalist rusofobik". Ai shtoi se sapo Moska filloi "operacionin e saj special ushtarak", me qëllim mbrojtjen e popullsisë ruse, Perëndimi menjëherë vendosi sanksione dhe filloi të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Protestat e Maidanit të vitit 2014 në Ukrainë çuan në rrëzimin e presidentit Viktor Yanukovych.
"Ndaj Rusisë menjëherë u vendosën sanksione në shkallë të gjerë, u organizuan furnizimet me armë për Ukrainën, u sigurua inteligjencë, u dërguan këshilltarë ushtarakë dhe mercenarë në zonën e luftimit. Kështu, u angazhua potenciali dhe aftësitë ushtarake të pothuajse gjithë vendeve të NATO-s", tha Shoigu.
Ministri rus tha se inteligjenca tregoi se armët e transferuara në Ukrainë bien në duart e terroristëve, gjë që mund të ndikojë në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe botës në tërësi.
"Armët e transferuara përfundojnë në tregun e zi dhe më tej bien në duart e organizatave terroriste, gjë që krijon rreziqe shtesë globale, veçanërisht duke marrë parasysh deklaratat për furnizimin me municione me uranium të varfëruar", tha Shoigu.
Ai gjithashtu kritikoi SHBA-në për veprimet që synojnë forcimin e pranisë së saj në rajonin Azi-Paqësor për të frenuar Kinën, si dhe planet për të rivendosur praninë e saj në Azinë Qendrore.
Shoigu njoftoi se Rusia përballë kërcënimeve të reja rriti gatishmërinë luftarake të bazave të saj ushtarake në Kirgistan dhe Taxhikistan.
Ai gjithashtu u kërkoi vendeve të SCO-së të shkëmbejnë inteligjencën dhe të zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake për të kundërshtuar metodat dhe teknikat e reja të përdorura nga organizatat terroriste.