Emre Gürkan Abay
19 Shkurt 2018•Përditësim: 20 Shkurt 2018
MOSKË (AA) – Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, ka thënë se SHBA-të janë duke hedhur hapa drejt ndarjes së Sirisë duke përdorur PYD/PKK-në, duke i bërë thirrje vendit të mos luajë me zjarr në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Lavrov i vlerësoi zhvillimet e fundit në Siri në seancën e titulluar “Rusia në Lindjen e Mesme: Rol në të gjitha skenat” të organizuar në Moskë nga Klubi Diskutues Valdai.
"I ndjekim me shqetësim hapat e SHBA-ve për ndarjen e Sirisë, veçanërisht në terren, në lindje të Lumit Eufrat, në kufijtë e Sirisë me Turqinë dhe Irakun. Duket sikur SHBA-të do të duhet të hedhin hapa me të cilat do të vërtetojnë se qëllimi i vetëm në Siri është luftimi i DEASH-it", tha Lavrov, duke kritikuar hapat e SHBA-ve në Siri.
“SHBA-të, duke shfrytëzuar PYD-në (PYD/PKK), janë duke hedhur hapa drejt ndarjes së Sirisë. Kjo u bë shkak për tensionimin e raporteve me Turqinë. I bëjmë thirrje SHBA-ve të mos luajë me zjarr. I bëjmë thirrje të hedh hapa të cilat do të kenë parasysh interesat afatgjate të të gjithë popujve në Siri, duke përfshirë dhe kurdët", u shpreh Lavrov, duke i bërë thirrje SHBA-ve të mos hedhin hapa për interesa afatshkurtër të politikës ditore.
Më tej, duke i rekomanduar një personi mbështetës të organizatës terroriste PKK të mos brohorasë slogane në konferencë, Lavrov theksoi: “Nuk e shohim të duhur që kurdët përdoren për synimet gjeopolitike të disa lojtarëve".
Lavrov poashtu theksoi se njësitë e SHBA-ve në jug të Sirisë duhet të tërhiqen menjëherë.
“Në rrethinën e El Tanf, SHBA-të kanë krijuar një zonë të re të sigurisë ku gjendet dhe një kamp për refugjatë, kamp ky i cili mendojmë se përdoret për vendosjen e militantëve të rinj. Duhet që kjo zonë të mbyllet menjëherë dhe të lejohet që në këtë kamp të arrijnë ndihmat humanitare", tha ministri i Jashtëm rus.
- "Moska e shqetësuar për tensionet mes Iranit dhe Izraelit"
Lavrov gjithasthu ka komentuar edhe marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Izraelit, ku tha se Rusia nuk i pranon përpjekjet që trajtimi i problemeve të rajonit të bëhet përmes prizmit të luftimit të Iranit.
“Ne kemi parë përpjekje të tilla në Siri, në Jemen, madje edhe në zhvillimet rreth problemit të Palestinës, përfshirë këtu edhe njohjen e Jerusalemit (Kudsit) për kryeqytet të Izraelit”, tha Lavrov, i cili kërkoi një hetim mbi pretendimet për rrëzimin e një droni iranian në Izrael.
“Nuk është shumë e qartë se ky dron vërtetë ishte iranian. Megjithatë, ka mekanizma të cilët zgjidhin probleme të kësaj natyre, siç janë forcat mbikëqyrëse të Kombeve të Bashkuara në Lartësirat e Golanit ose organizata e OKB-ve për mbikëqyrje të armëpushimit”, tha Lavrov, sipas të cilit mekanizmat e lartpërmendur kanë autorizime për të hetuar incidente të tilla.
- “Mund të kuptohen shqetësimet e Turqisë”
Në pjesën e parashtrimit të pyetjeve, fjalën e mori dhe ministri i Jashtëm iranian, Muhammed Javad Zarif, i cili u shpreh se mund të kuptohen shqetësimet e Turqisë sa i përket hapave të SHBA-ve në Siri.
“SHBA-të në Siri po hedhin hapa gjeopolitik dhe gjeoekonomik shkurtpamës. Fatkeqësisht, në të njëjtën kohë, po abuzohet me një pjesë të popullatës kurde. Andaj dhe mund të kuptohen shqetësimet e Turqisë sa i përket hapave të SHBA-ve këtu", theksoi Zarif, duke thënë se SHBA-të në Siri janë duke hedhur hapa pa vizion.