Dmitri Chirciu
14 Prill 2022•Përditësim: 15 Prill 2022
Rusia ka pretenduar se në 24 orët e fundit në qytetin Mariupol të Ukrainës janë dorëzuar dhe kanë lënë armët gjithsej 1.160 ushtarë ukrainas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka bërë deklarata lidhur me veprimet e ushtrisë ruse në luftën që i ka hapur Ukrainës.
Në qytetin Mariupol janë dorëzuar ushtarë ukrainas, pretendoi Konashenkov duke shtuar se "Në Mariupol kanë lënë armët dhe janë dorëzuar vullnetarisht edhe 134 ushtarë ukrainas përfshirë 14 oficerë. Në 24 orët e fundit janë dorëzuar gjithsej 1.160 ushtarë ukrainas të brigadës së 36-të detare. Në mesin e tyre ndodhen 176 oficerë".
Konashenkov edhe dje pretendoi se në Mariupol kishin lënë armët dhe ishin dorëzuar 1.026 ushtarë ukrainas.
"Në 24 orë janë shkatërruar 48 objekte ushtarake të Ukrainës"
Duke ndarë informacionin se kanë goditur me armë me precizitet të lartë 12 elementë të infrastrukturës ushtarake, Konashenkov tha se "Në 24 orët e fundit, nga ajri janë shkatërruar 48 objekte ushtarake të Ukrainës".
Konashenkov më tej tha se deri më sot janë rrëzuar 131 avionë dhe 104 helikopterë dhe janë shkatërruar 245 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 448 mjete ajrore pa pilot, 248 multi-raketahedhëse, 944 obusë dhe mortaja si dhe 2.088 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës.