Dmitri Chirciu
30 Qershor 2021•Përditësim: 30 Qershor 2021
Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, theksoi se në kuadrin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) synojnë që në rajonin e Detit të Zi të forcojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë nëpërmjet dialogut të pastruar nga politika, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, Lavrov nëpërmjet video-konferencës mori pjesë në takimin e 43-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSEC).
Në takimin ku u diskutuan çështjet lidhur me përgatitjet për organizimet e 30-vjetorit të BSEC, Lavrov theksoi se Rusia nën presidencën e radhës të BSEC-it që do të marrë në pjesën e dytë të vitit 2022 synon "forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë me dialog pragmatik të pastruar nga politika në rajonin e Detit të Zi".
Pjesë e takimit ishte edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në rrjetet sociale, ministrja Xhaçka ka shkruar se Shqipëria dorëzoi kryesinë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) tek Gjeorgjia.
BSEC u themelua në vitin 1992 dhe përbëhet nga 13 vende, përfshirë Shqipërinë, Turqinë, Azerbajxhanin, Rusinë dhe Ukrainën.