Erkan Avci
15 Mars 2016•Përditësim: 16 Mars 2016
WASHINGTON (AA) - Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA-ve Senatori John McCain, ka kritikuar urdhërin e Rusisë për tërheqje nga Siria raporton Anadolu Agency (AA).
Senatori republikan nga Arizona McCain adresoi kritika të ashpra ndaj administratës së presidentit amerikan Barack Obama kryesisht për politikën e jashtme me ç'rast dha një deklaratë me shkrim lidhur me vendimin e Moskës për tërheqjen nga Siria.
"Deklarata e Rusisë për tërheqjen e disa ushtarëve nga Siria tregon se Putin mendon se ka vrarë mjaftueshëm opozitarë në mënyrë që të jetë në gjendje të mbijetojë regjimi vrasës i Asadit", thuhet në deklaratë me shkrim të McCain.
Ai në vijim në deklaratën me shkrim thekson se "teksa regjimi i Asadit në Siri vrau rreth gjysëm milion njerëz për katër vite, administrata e Obamas u mjaftua vetëm duke i vërejtur këto".
"Dhe më pas administrata e Obamas vërejti gjithashtu edhe mbrojtjen e regjimit tiran të Asadit dhe ndërhyrjen ushtarake të Putinit. Administrata e presidentit Obama tregoi indiferencën dhe mosveprimin duke shprehur se Rusia do të vendosë veten e saj në një moçal. Ajo gjithashtu ngushëlloi veten me fjalën ‘nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën‘ në vend që të përballej me të vërtetën se çdo zgjidhje politike në Siri është e qartë që ka një dimension ushtarak", qëndron në reagimin e McCain.
Senatori republikan vuri në dukje se Rusia dhe mbështetësit e tjerë të regjimit kanë ndryshuar balancat në territorin e Sirisë.
"Fatkeqësisht Rusia dhe veglat e saj e kanë treguar këtë në Siri. Ata ndryshuan balancat ushtarake në territor dhe krijuan kushtet për një zgjidhje politike më të përshtatshme për interesat e tyre. Me shumë mundësi kjo do të shkaktojë zgjatjen e luftës në Siri, forcimin e DAESH-it dhe rritjen akoma edhe më shumë të refugjatëve. Me ndryshimin e burimeve dhe të vëmendjes së Rusisë në vende të tjera kam frikën se në Ukrainë do të vijë një pranverë më e përgjakur", thuhet mes tjerash në deklaratën me shkrim të McCain.