Aslı Aral
10 Korrik 2016•Përditësim: 11 Korrik 2016
LONDËR (AA) – Familja e gazetares Marie Colvin, e vrarë në Siri në vitin 2012, ka ngritur padi kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad të cilin e llogarit si përgjegjës për vrasjen e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Familja e gazetares amerikane të gazetës britanike "Sunday Times" e cila është vrarë në vitin 2012 përderisa raportonte nga Baba Amra në Homs ka parashtruar argumentet dhe ka ngritur padi kundër qeverisë siriane para gjykatës në Washington DC.
Prokurori tha se gazetarja 56-vjeçare Colvin ishte një nga shumë viktimat e politikës së regjimit të Assadit i cili ka vrarë gazetarët gjatë raportimit nga zonat e kontrolluara nga kryengritësit.
Në seancën gjyqësore të mbajtur dje në Washington, prokurori tha se shërbimi sekret sirian ka zbuluar sinjalin e telefonit me të cilin gazetarja Colvin ka raportuar në programin e televizioneve amerikane dhe britanike ndërsa më pas ushtria siriane ka kryer sulm artilerik në të cilin është vrarë gazetarja.
Gjykimi në Washington ka nisur dje pas hetimeve tre vjeçare mbi sulmin artilerik të ushtrisë siriane në ndërtesën ku ndodheshin gazetarët në Homs, kurse në atë sulm ishte vrarë edhe fotoreporteri francez Remi Ochlik.
Pak para sulmit të kobshëm në të cilin është vrarë, gazetarja Colvin gjatë raportimit për BBC ka thënë se ushtria e Assadit "vret pa mëshirë civilë në Siri".
"Sot kam parë se si ka vdekur një foshnje e qëlluar. Këto pamje këtu ndodhin çdo ditë", ka thënë Colvin në raportimin e saj të fundit.