Vakkas Doğantekin
15 Nëntor 2019•Përditësim: 15 Nëntor 2019
Shtetet e Bashkaura të Amerikës sot i bënë thirrje forcave të Ushtrisë Kombëtare Libiane të udhëhequr nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar të ndalojnë ofensivën e tyre në vendin e shkatërruar nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sot, filloi Dialogu i Sigurisë SHBA-# Libi në Washington D.C. Ne i bëjmë thirrje Ushtrisë Kombëtare Libiane t'i jap fund ofensivës së saj, të ndihmojë bashkëpunimin SHBA-Libi dhe të parandalojë përpjekjet e Rusisë për të shfrytëzuar konfliktin", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus në Twitter.
"SHBA mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Libisë", shtoi ai.
Njoftimi erdhi më pak se një javë pasi ministri i Brendshëm i qeverisë së njohur ndërkombëtaisht të Libisë akuzoi Rusinë për nxitjen e luftës në vazhdim me mercenarë dhe kërkoi nga SHBA të shtonte përpjekjet për zgjidhjen e krizës.
Fathi Bashagha tha për "Bloomberg News" se SHBA bashkëpunoi me Libinë në luftën e saj kundër grupit terrorist DEASH, por që sulmet e Haftarit minuan luftën kundër terroristëve dhe se Rusia përkeqësoi edhe më tej trazirat aktuale në vend.
"Rusët kanë ndërhyrë për të hedhur benzinë në zjarr dhe për të thelluar krizën në vend se të gjejnë një zgjidhje", tha Bashagha, duke kritikuar vendosjen e grupit paraushtarak rus "Wagner".
"Një prej dëshmive është vendosja e tyre të Wagner në Libi. Më parë këtë grup ata e kishin dërguar në Siri dhe Afrikën qendrore, dhe kudo që Wagner shkon ndodhin shkatërrime", tha ai.
Rusia mohon praninë e grupit në Libi.
Të enjten, Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Mark Esper tha që forcat amerikane vazhduan të "kositin lëndinën" në Libi, duke iu referuar sulmeve të SHBA-së ndaj DEASH-it.
"Dhe, kjo do të thotë se herë pas here, ju duhet t'i bëni këto gjëra për të qëndruar në krye të saj në mënyrë që kërcënimi të mos rritet apo të mos ringrihet", shpjegoi ai.
Forcat e lidhura me Haftarin filluan një fushatë në prill për pushtimin e Tripolit nga Qeveria e Pajtimit Kombëtarë, të njohur ndërkombëtarisht në Libi.
Përplasjet midis dy palëve kanë lënë mbi 1.000 njerëz të vdekur dhe rreth 5.500 të plagosur, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Vendi i pasur me naftë ka mbetur i zhytur në trazira që nga 2011, kur sundimtari disa dekadash Muammar Gaddafi u rrëzua dhe u vra në një kryengritje të mbështetur nga NATO.
Që nga ajo kohë në skenën e Libisë u shfaqën dy qeveri rivale, përfshirë një në lindje të Libisë me të cilën është i lidhur Haftari, dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar me qendër në Tripoli, e cila gëzon mbështetjen e OKB-së.