Dilara Hamit
22 Shtator 2020•Përditësim: 22 Shtator 2020
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Ankara të hënën tha se vendi nuk e konsideron Hartën e Seviljes si diçka që ka ndonjë rëndësi ligjore, raporton Anadolu Agency (AA).
"Në lidhje me 'statusin ligjor' të hartës së Seviljes, Shtetet e Bashkuara nuk e konsiderojnë hartën e Seviljes që të ketë ndonjë rëndësi ligjore. Ne e kuptojmë gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk e konsideron hartën e Seviljes si një dokument ligjërisht të detyrueshëm", thuhet në deklaratë.
Deklarata theksoi se SHBA në kontekstin e politikës globale nuk merr pozicione në mosmarrëveshjet kufitare detare të shteteve të tjera.
"Kufijtë detarë janë për shtetet në fjalë që të zgjidhin me marrëveshje mbi bazën e ligjit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun dhe negociatat me mirëbesim dhe inkurajojnë Greqinë dhe Turqinë të rinisin bisedimet sa më shpejt të jetë e mundur", thuhet në deklaratë.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, muajin e kaluar komentoi rreth hartës së Seviljes dhe tha: "Ne (Turqia) jo vetëm që do të shtypim ata që kanë këtë hartë në mendjet e tyre, por gjithashtu do ta grisim këtë hartë".
E ashtuquajtura harta e Seviljes përpiqet të kufizojë sovranitetin e Turqisë në zonën e Mesdheut në 41.000 kilometra katrorë.