Ömer Koparan,Ethem Emre Özcan
27 Prill 2022•Përditësim: 27 Prill 2022
ÖMER KOPARAN/ETHEM EMRE ÖZCAN
Forcat e SHBA-së të cilat po fortifikojnë pikat e tyre të pozicionuara në rajonet nën pushtimin e organizatës terroriste YPG/PKK në Siri, po rivendosin në funksion 2 pika që kanë evakuuar më parë në Rakka në verilindje të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacionit që gazetarët e AA-së kanë marrë nga burimet lokale, mësohet se ushtarët amerikanë po vendosen sërish në disa pika të cilat i evakuuan më parë në Rakka pak kohë para operacionit "Burimi i Paqes" që Turqia zhvilloi në tetor 2019.
Të shqetësuar nga përpjekjet e Rusisë në muajt e fundit për të treguar prani në Rakka dhe me synimin për të bërë më të ndier ndikimin e saj në terren, forcat e SHBA-së në muajin e fundit po vazhdojnë punimet për t'u kthyer në bazat e saj në aeroportin ushtarak Tabqah që ndodhet rreth 50 kilometra nga qendra e qytetit dhe Regjimentit të 17-të që ndodhet 7 kilometra nga qendra e Rakkas.
Në kuadër të kësaj, krahas shumë automjeteve ushtarake të blinduara për transportimin e personelit, të paktën 9 mjete luftarake të blinduara të llojit "Bradley" dhe dhjetëra ushtarë të SHBA-së, janë dërguar në pikat ku vazhdojnë punimet për t'u vendosur në Rakka.
SHBA-ja përdor në mënyrë aktive aeroportin ushtarak Tabqah dhe me avionët e saj transportues ushtarak po forcon fortifikimet e saj në Rakka.
Përforcime ndaj bazave dhe pikave ushtarake
Forcat amerikane që nga fillimi i vitit kanë rritur punimet për të përforcuar bazat e tyre në Al-Hasakah, Deir ez-Zor dhe Rakka, pasi pikat e tyre ushtarake u vendosën në shënjestër nga grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani.
Në bazat dhe pikat ushtarake në rajonet në fjalë, Washingtoni ka transportuar me qindra kamionë furnizime ushtarake dhe logjistike në 4 muajt e fundit.
Ushtarët amerikanë që tregojnë prani në zonat nën pushtimin e YPG/PKK-së në lindje të lumit Eufrat, dërgesat e tyre për bazat dhe pikat ushtarake i kryejnë nëpërmjet territorit të Irakut.
Prania e SHBA-së në Siri
Me fillimin e operacionit "Burimi i Paqes" në tetor 2019, SHBA-ja evakuoi disa nga bazat e saj në lindje të Eufratit dhe i dha përparësi vendosjes në zonat përreth fushave të naftës.
Forcat e SHBA-së të cilat vazhdojnë mbështetjen e tyre për organizatën terroriste YPG/PKK, aktualisht në Siri krahas bazës Al Tanf në shkretëtirën e Homsit, tregojnë prani me një numër të madh të pikave dhe bazave ushtarake në rajonet nën pushtimin e organizatës në Al-Hasakah, Rakka dhe Deir Ez-Zor.