Ekip
03 Tetor 2017•Përditësim: 03 Tetor 2017
NEW YORK (AA) – Mbi 50 persona u vranë dhe më shumë se 500 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit të armatosur që ndodhi në qytetin amerikan Las Vegas, sulm i armatosur i cili u regjistrua me numrin më të madh të vdekjeve deri më tani në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet në shtetin e Nevadas thanë se agresori Stephen Paddock hapi zjarr të dielën vonë ndaj më shumë se dhjetë mijë personave të cilët ishin të pranishëm në një festival muzikor në një mjedis të hapur pranë hotelit Mandalay Bay në Las Vegas.
Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lambardo, bëri të ditur se i dyshuari 64-vjeçar është banor i Nevadas. Ai duke mos e përmendur sulmin si një akt terrorist, të shtënat i quajti si sulm të një “ujku të vetmuar”.
Sipas raportimeve të mediave lokale të bazuara në burimet policore, agresori ka përdorur një armë automatike, me të cilën për një kohë gati katër minuta e gjysmë në vazhdimësi ka shtënë breshëri plumbash në drejtim të turmës.
Sipas dëshmitarëve okularë dhe videove të publikuara nga moment i të shtënave, mijëra persona iknin nga vendi, duke shkaktuar një rrëmujë të madhe.
Lombardo njoftoi se agresori u gjet i vdekur në dhomën e tij në katin e 32-të të hotelit ku ai nisi sulmin.
Në një fjalim në një televizion nacional, presidenti Donald Trump sulmin e quajti “akt të së keqes”.
“Bashkimi ynë nuk mund të prishet nga e keqja. Lidhjet tona nuk mund të shkelen me dhunë. Edhe pse ndjejmë një zemërim kaq të madh nga vrasja e pakuptimtë e bashkëqytetarëve tanë, është dashuria jonë që na definon sot”, tha Trump nga Dhoma Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë.
“Në kohëra të këtilla, unë e di që ne po kërkojmë për njëfarë kuptimi në kaos, një lloj drite në errësirë. Përgjigjet nuk vijnë lehtë, por ne mund të marrim ngushëllim duke e ditur se edhe hapësira e errët mund të ndriçohet nga një dritë e vetme dhe madje edhe dëshpërimi më i tmerrshëm mund të ndriçohet nga një rreze e vetme e shpresës”, shtoi presidenti amerikan.
Në shenjë zie, flamujt në të gjithë SHBA-në do të valviten deri në gjysëm shtizë. Trump do të vizitojë Las Vegasin për t’u takuar me zbatuesit e ligjit, respondentët e parë dhe familjet e viktimave.
Agresori Stephen Paddock
Policia beson se nuk ka të dyshuar tjetër, por ka “përcaktuar vendndodhjen” e 63-vjeçarit Marilou Danley, i cili është një “shok” i agresorit Stephen Paddock.
Vëllai i Paddock-it, Eric, u tha gazetarëve në Florida se ai nuk kishte asnjë indikacion se Paddock kishte armiqësi apo ndonjë histori të sëmundjes mendore. “Do të doja të isha në gjendje t’ua jap disa arsye për këtë”, shtoi ai.
Pa ofruar ndonjë provë, organizata DEASH mori përgjegjësinë për sulmin nëpërmjet Agjencisë së lajmeve Amaq, duke thënë se sulmuesi ishte një i konvertuar kohët e fundit në Islam.
Por, Byroja Federale e Investigimeve amerikane (FBI) tha se nuk ka indikacione se sulmi ishte i lidhur me një grup ndërkombëtar terrorist.
Sipas raporteve të medias, të paktën dy oficerë policie jashtë-detyrës besohet të jenë ndër personat e vrarë në festivalin muzikor në Las Vegas.