Büşra Selvi Öğütcen
14 Shtator 2020•Përditësim: 15 Shtator 2020
Zëvendëssherifi në shtetin Georgia të SHBA-së u shkakrua pas publikimit të pamjeve në të cilat ai shihet duke grushtuar disa herë një person afroamerikan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në pamjet e filmuara dhe të postuara në internet nga një kalimtar, zëvendëssherifi shihet duke shtrirë përtokë 26-vjeçarin Roderick Walker dhe duke e goditur vazhdimisht.
Sipas pamjeve, e dashura e Walker, e cila është jashtë automjetit, i ka thënë policisë se i dashuri i saj nuk po mund të merrte frymë.
Në video po ashtu dëgjohet fëmija në automjet duke bërtitur "baba", ndërsa polici që përdori dhunë i thotë personit që filmonte se Walker e kishte kafshuar.
Në materialin e publikuar Walker shihet i prangosur.
Dy herë pa vetëdije
Shean Williams, avokat i viktimës së dhunës policore, tha se makina e klientit të tij ishte ndaluar në të djathtë me pretendimin se drita e frenave ishte prishur, në kohën kur zëvendëssherifët e Qarkut Clayton po bënin ndërrim në orarin e punës.
Williams tha se në kohën e incidentit, e dashura e Walker-it, foshnja e tyre 5-muajshe dhe djali i së dashurës ishin në automjet.
Gjatë kontrollit të identitetit, oficerët e policisë i kërkuan Walker-it të dilte nga automjeti, tha Williams, duke shtuar se klienti i tij nuk e ka kafshuar policin siç pretendohet.
Duke theksuar se Walker po përpiqej t’i mbijetonte incidentit, Williams deklaroi se klienti i tij humbi ndjenjat të paktën dy herë për shkak të dhunës që përjetoi.
Williams theksoi se pamjet në fjalë zbulojnë një rast tjetër në të cilin të drejtat qytetare të një afroamerikani shkelen nga autoritetet, puna kryesore e të cilëve është të mbrojnë dhe të shërbejnë.
Williams kërkoi që Walker të lirohet me kusht dhe që incidenti të hetohet nga Byroja e Hetimeve në Georgia.
Shkarkohet zëvendëssherifi
Në një deklaratë të bërë nga Zyra e Sherifit të Qarkut Clayton, thuhet se zëvendëssherifi i paidentifikuar është shkarkuar për shkak të "përdorimit të tepruar të forcës".
Në deklaratë theksohet se hetimi për incidentin është transferuar në zyrën e prokurorit rajonal.
Deklarata po ashtu njofton se gjykata nuk e ka pranuar lirimin e Walker-it me kusht dhe se i dyshuari ka pranuar ndërhyrje mjekësore dhe po mbahet nën mbikëqyrje në spitalin e burgut.
Sipas dosjeve të arrestimeve, Walker është ndaluar nën dyshimin për rezistencë dhe sulm ndaj oficerit të policisë. Fotoja e Walker-it e bërë në arrest tregon ënjtje në syrin e tij të majtë.
Në portestat e organizuara në muajt e fundit kundër dhunës policore ndaj afroamerikanëve në SHBA, demonstruesit kërkojnë shkurtime në buxhetin e policisë.