Kasım İleri
28 Dhjetor 2016•Përditësim: 28 Dhjetor 2016
WASHINGTON (AA) – Sipas SHBA-së prania e organizatës terroriste PKK në rajonin Sinxhar të Irakut është një "pengesë e madhe për pajtimin" dhe kthimin e personave të zhvendosur, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne besojmë se PKK e cila në SHBA është e regjistruar si organizatë terroriste, nuk duhet të ketë asnjë rol në Sinxhar", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.
Komentet e Tonerit janë bërë pasi kryeministri i qeverisë rajonale kurde të Irakut Nechervan Barzani ka kërcënuar se do të përdorë forcën ushtarake për të larguar PKK-në nga qyteti me shumicë të kurdëve jezid në Sinxhar.
PKK ka kërkuar krijimin e një zone të sigurisë në rajonin që është pjesë e periferisë së krahinës verilindore malore Ninive, pasi DEASH u dëbua vitin kaluar nga forcat Peshmerge dhe forcat lokale me ndihmën e koalicionit të udhëhequr nga SHBA.
Turqia gjithashtu ka shprehur shqetësime në lidhje me praninë e PKK-së në Sinxhar, e cila deklaroi se do të marrë masa parandaluese, duke përfshirë edhe vendosjen e trupave, për të parandaluar formimin e një baze në rajon nga grupi terrorist.
Toner gjithashtu u bëri thirrje të gjitha grupeve aktive në Sinxhar "që të ndihmojnë në pajtimin politik", që do të mundësojë kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit në shtëpitë e tyre. Ai tha se beson se qeveria e Irakut në Bagdad ndan shqetësimet e njëjta rreth pranisë së PKK-së në Sinxhar.