Michael Hernandez
03 maj 2019•Përditësim: 03 maj 2019
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, sot për më shumë se një orë kanë diskutuar disa çështje, përfshirë marrëveshjet për kontroll të armëve bërthamore, njoftuan nga Shtëpia e Bardhë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja Sarah Sanders tha se biseda ishte “shumë e mirë” dhe “shumë pozitive” dhe se përfshinte diskutime mbi tregtinë, Korenë e Veriut dhe Venezuelën.
Sa i përket pakteve për armët bërthamore, Sanders tha se bashkëbiseduesit i janë adresuar mundësisë për “vazhdimin e marrëveshjes aktuale bërthamore, si dhe diskutime për fillim eventual të një marrëveshje të re që mund të përfshinte edhe Kinën”.
Trump në mënyrë të njëanshme filloi procesin e tërheqjes formale të Washingtonit nga Marrëveshja e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), duke e suspenduar atë në muajin shkurt me akuza se Rusia nuk i përmbahet marrëveshjes, si dhe shqetësimeve se Kina nuk u detyrohet kufizimeve të marrëveshjes në zhvillimin e armëve.
Pakti dypalësh midis SHBA-ve dhe Rusisë hyri në fuqi në vitin 1988 duke synuar të zvogëloj mundësitë e luftës bërthamore në Evropë.
Thuhet se Trump ka urdhëruar stafin e tij për të përgatitur marrëveshje të reja të kontrollit të armëve me Rusinë dhe Kinën.
Nuk është e qartë se çfarë apo nëse do të prodhojnë diçka këto përpjekje, as edhe nëse do të arrihen marrëveshje të ndara me Kinën dhe Rusinë apo do të arrihet një marrëveshje trilaterale. Zakonisht, opsioni kërkon vite për t’u arritur.
Në shpjegimin e këtij vendimi te populli amerikan për t’u tërhequr nga Traktati INF, Trump la të kuptohet se ai mund të ndjekë opsionin e fundit.
“Ndoshta mund të negociojmë një marrëveshje tjetër, duke shtuar Kinën dhe të tjerët,”, tha Trump gjatë fjalimit të tij në muajin shkurt.