Betül Yürük
03 Prill 2018•Përditësim: 03 Prill 2018
KOMBET E BASHKUARA (AA) – Kombet e Bashkuara (OKB) njoftojnë se për shkak të përleshjeve që po zgjasin me javë, nga Guta Lindore në Siri, nën rrethimin e regjimit sirian, janë larguar rreth 130 mijë persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha se po përpiqen që t’i përmbushin nevojat për ushqim, shërbime shëndetësore dhe banim për mijëra persona të cilët janë detyruar të zhvendosen nga vendet e tyre në Gutën Lindore, por që këto nevoja kanë arritur në nivele të jashtëzakonshme.
Duke u shprehur se për shkak të përleshjeve të cilat po vazhdojnë me javë nga Guta Lindore janë larguar 130 mijë persona, Dujarric rithekson thirrjen e tij për qasje humanitare “të sigurtë, pa pengesë dhe të vazhdueshme” dhe shton se edhe evakuimet duhet të bëhen në mënyrë vullnetare.
Dujarric thotë se nga Afrini deri më tani 137 mijë persona kanë shkuar në Tel Rifat dhe në fshatra përreth, duke shtuar se civilët duhet të mbrohen.
Regjimi sirian dhe përkrahësit e tij kishin rrethuar qarkun Haresta duke avancuar nga lindja në drejtim të perëndimit të Gutës Lindore më 11-12 mars dhe kishin ndarë në 3 pjesë rajonin e Gutës Lindore.
Në rajonin e Gutës Lindore nën kontrollin e opozitarëve, që prej pesë vitesh jetojnë të rrethuar rreth 400 mijë civilë. Dhjetëra mijëra persona janë detyruar që të migrojnë në rajonet nën kontrollin e regjimit të Asadit pasi forcat e tij morën kontrollin e më shumë se gjysmës së rajonit me sulmet intensive të muajve të fundit, të realizuara me mbështetjen e Rusisë.