Eşref Musa,Burak Karacaoğlu
13 Maj 2018•Përditësim: 14 Maj 2018
IDLIB (AA) – Autokolona e pestë e përbërë nga autobusë që bartnin civilët nga lagjet e Homsit të Sirisë, ka mbërritur të dielën në Halep, bën të ditur korrespodenti i Anadolu Agency (AA) nga terreni.
Autokolona me 54 autobusë, e shoqëruar nga 160 automjete civile, ka bartur 3.500 banorë nga veriu i Homsit, ku numri i përgjithshëm i të evakuuarve ka shkuar në mbi 13.500 njerëz.
Të evakuuarit do të strehohen në kampet e refugjatëve, në shkolla dhe xhamitë që ndodhen në dy krahina të ndryshme të shtetit.
- Gjendja e evakuimit nga Homsi
Evakuimet e detyrueshme nga Homsi filluan javën e kaluar, pas negociatave mes opozitarëve dhe regjimit sirian me ndërmjetësim të Rusisë.
Një sipërfaqe prej 592 kilometrash katrorë e kontrolluar nga opozitarët në veri të Homsit mbahet nën bllokadë prej pesë vitesh. Në rajon jetojnë mes 200-250 mijë njerëz.
Rajoni ishte vendosur në kuadër të zonave të deeskalimit përmes marrëveshjeve të Astanas në maj të vitit 2017 nga Turqia, Rusia dhe Irani. Megjithatë, pas marrjes së kontrollit mbi Gutën Lindore, regjimi sirian ka nisur me sulme intensive në këtë rajon dhe në kampin Jermuk.