Ekip
11 prill 2019•Përditësim: 12 prill 2019
Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC) ka bërë të ditur se mbi 137 mijë shtetas të Somalisë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në tremujorin e parë të vitit 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Mbi 137 mijë persona u larguan nga shtëpitë e tyre në tremujorin e parë të vitit 2019, tregon Rrjeti i Monitorimit të Kthimit të UNHCR-së. Numri i personave të zhvendosur është rritur nga muaji në muaj, me 51 mijë që u larguan vetëm në muajin mars”, thuhet në një deklaratë të NRC-së.
Sipas NRC-së, gjithsej 2.6 milionë njerëz janë zhvendosur nga Somalia.
“Ne shohim një tendencë tragjike këtë vit, me gjithnjë e më shumë njerëz të zhvendosur nga thatësira dhe konflikti në Somali. Duke kërkuar ndihmë për të mbijetuarit, familjet ikin në zonat urbane, duke ngritur strehimore të improvizuara kudo që ata munden”, tha drejtori rajonal i programit të NRC-së, Kennedy Mabonga.
Ata që kryesisht u zhvendosën nga thatësira janë nga rajonet Somaliland, Puntland, Mudug dhe Galgaduud, ndërsa ata që u zhvendosën nga konflikti janë kryesisht nga rajonet Shabelle.
“Konflikti dhe sulmet ajrore detyruan mijëra njerëz të ikin nga frika. Thatësira ka dëmtuar fermerët duke shkaktuar migrimin në qytete. Ndërkohë, dëbimet me forcë në zonat urbane po rriten”, tha Mabonga.
Faktorë të tjerë që kontribuojnë në zhvendosje janë edhe përmbytjet, pasiguria dhe mungesa e mjeteve të jetesës.
Apeli i ndihmës humanitare i Kombeve të Bashkuara (OKB) për vitin 2019 për Somalinë është duke kërkuar 1.08 miliard dollarë për programet humanitare, por vetëm 13 për qind e apelit është financuar deri më sot.