Ekip
15 Nëntor 2016•Përditësim: 15 Nëntor 2016
NAIROBI (AA) - Amnesty International (AI) përmes një raporti pohon se Kenia "qëllimisht ushtron presion" ndaj refugjatëve somalezë në mënyrë që ata të kthehen në vendin e tyre i cili është shkatërruar nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti i AI vjen dy javë para njoftimit të mëparshëm të autoriteteve keniane për mbylljen e kampit të refugjatëve Dadaab, kampin më të madh të këtij lloji në botë me rreth gjysmë milion refugjatë.
Kenia në maj të këtij viti njoftoi se nuk do të pranojë më refugjatë nga Somalia fqinje për shkak të "arsyeve të brendshme të sigurisë".
Zëvendës Drejtoresha e AI për Afrikën Jugore dhe Lindore, Michelle Kagari duke folur për AA tha se refugjatët detyrohen që të largohen nga Kenia.
"Kushtet janë bërë mjaft armiqësore dhe refugjatëve nuk u mbetet zgjidhje tjetër, pos që të largohen", ka thënë Kagari duke shtuar se qeveria keniane për refugjatët që largohen vullnetarisht u ofron "shpërblim" prej 400 dollarësh.