Ekip
18 Shkurt 2017•Përditësim: 19 Shkurt 2017
LONDËR (AA) - Ministri britanik për Evropën dhe SHBA-në, Alan Duncan, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), ka vënë në dukje rëndësinë që ka Turqia për Britaninë e Madhe. Ai duke folur për tentativën për grusht shteti të ndodhur më 15 korrik në Turqi, tha: "Ishim të mendimit që duhet të kuptohej se sa e rrezikshme dhe serioze ishte tentativa për grusht shteti. Nuk mund të prisnim që njerëzit atje të uleshin dhe të rrinin urtë. Kjo ishte një gjë shumë e vështirë dhe e rrezikshme për të gjithë Turqinë. Unë jam shumë i gëzuar që Britania e Madhe ka shprehur menjëherë mendimin e saj për tentativën".
"Tentativa për grusht shteti në Turqi ndodhi ditën kur unë fillova detyrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme", tha Duncan dhe më pas ai tregon se ka biseduar menjëherë me shefin e diplomacisë, Boris Johnson dhe Kryeministren Theresa May duke ju thënë: "Kjo është shumë e rëndësishme. Duhet ta kuptojmë. Unë po shkojë atje".
Duncan ka vënë në dukje se pas kësaj tentative ai personalisht ka vizituar 3 herë Turqinë, ndërsa Boris Johnson dhe Theresa May një herë. "Unë besoj që stabiliteti i Turqisë është stabiliteti i gjithë rajonit. Edhe nëse do ta diskutonim si të vetme Turqinë duhet të dimë që ai vend duhet të jetë demokratik", tha ai.
"Europa mbeti e ngadaltë"
Ndërsa duke thënë se ata nuk kanë shumë informacion se kush është pas tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik, Duncan thotë se "normalisht kanë disa dyshime" dhe më pas shton: "Patjetër që Turqia do të zgjidhë vetë këtë gjë. Ju do ta zgjidhni vetë".
Ndërkohë duke theksuar se qeveria e tij i ka përcjellë Turqisë mesazhin se pas tentativës "drejtësia dhe ligji duhet të jenë mbi çdo gjë", Duncan në vijim ka shtuar: "Normalisht që i bëjmë thirrje qeverisë që kur të burgosë njerëz të bëjë kujdes që të jenë vërtetë të implikuarit. Por duhet të dimë që Britania e Madhe dhe mbase vetëm ajo arriti të kuptojë me të vërtetë se çfarë ndodhi atje, ndërsa për mendimin tim Europa mbeti në klasë duke u treguar shumë e ngadaltë për reagimet ndaj këtij veprimi të gabuar i cili ishte traumatik dhe serioz për Turqinë".
Ai ka thënë gjithashtu se Turqia në vitin e fundit ka dhënë shumë dëshmorë përballë terrorit dhe më pas ka shtuar: "Nëse do të keni parasysh kërcënimet që i kanosen Turqisë si tentativa për grusht shteti apo lufta kundër terrorizmit, duhet të kuptoni se çfarë po ndodh atje dhe jo të uleni në kolltukun tuaj duke u munduar të jepni leksione. Për një rajon demokratik dhe të qëndrueshëm duhet të bëni patjetër bashkëpunim më Turqinë si një aktor shumë i rëndësishëm".
"Marrëdhëniet do të thellohen"
Duke vënë në dukje se pas vendimit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ata synojnë thellimin e marrëdhënieve të vendit të tyre me Turqinë, ai tha se rritja e numrit të vizitorëve britanikë në Turqi, rritja e marrëdhënieve ekonomike dhe firmosja e një marrëveshjeje gjatë vizitës së Kryeministres Theresa May në Turqi, në fushën e mbrojtjes, janë tregues të kësaj.
"Nuk na pëlqen të na drejtojnë"
Në lidhje me Brexit-in zyrtari britanik ka thënë se ky vendim nuk është marrë me qëllim dobësimin e BE-së apo nxjerrja e problemeve këtij unioni, por e cilëson këtë vendim për të mirën e Britanisë së Madhe.
"Ne e realizuam një referendum dhe nga aty doli vendimi për ndarje. Britania është një vend me sistem të fortë parlamentar demokratik. Zgjedhim qeverinë tonë dhe nëse nuk na pëlqen e zgjedhim përsëri. Kjo do të thotë kështu: Edhe pse dëshirojmë të bashkëpunojmë me vendet e tjera nuk na pëlqen që të drejtohemi nga të tjerët. Kjo arsye dhe arsye që lidhen me emigrantët në BE bëri që përfundimi i referendumit të jetë pro daljes së vendit tonë nga BE-ja", ka shtuar ai.
"Vendimi për anëtarësim në BE i takon vetë Turqisë"
Duke vënë në dukje se nëse anëtarësimi në BE do të jetë i mirë ose jo për Turqinë do të vendoset vetë nga ky vend, Duncan ka shtuar: "Anëtarësimi në BE kërkon edhe lëshime. Nga njëra anë ju do të keni një tregti të lirë, lëvizje të lirë dhe tregje të lira. Mund të uleni në një tryezë me të gjitha vendet e BE-së dhe kjo mund të ju shtojë synimet. Ndërsa nga ana tjetër BE-ja ka institucione si Parlamenti Europian (PE) dhe Komisionin. Disa gjëra jeni të detyruar ti bëni në këtë mënyrë. Standardet, organizimet, prodhimet dhe politikat e konkurrencës. Për këtë arsye nuk e di nëse kjo do të jetë e mirë apo e keqe për Turqinë. Këtë do ta vendosë vetë Turqia. Ndërsa sugjerimi im do të ishte vazhdimi i diskutimeve, përparimi dhe angazhimi në këtë kuadër. Në fund të fundit Turqia do të ketë një të drejtë fjale dhe kjo në fund do të jetë një zgjedhje e popullit turk".