Ömer Aydın
12 tetor 2017•Përditësim: 13 tetor 2017
STRASBURG (AA) - Anëtarja e Delegacionit të Azerbajxhanit, Ganire Pashajeva në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) tha se disa politikanë në Evropë kanë bërë propagandë kundër muslimanëve me pretekstin e organizatës terroriste DEASH, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në sesionin vjeshtor të APKE-së në Strasburg është diskutuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga ana e DEASH-it kundër njerëzimit dhe ndëshkimet për këto krime.
Deputetja e Azerbajxhanit, Pashajeva e cila ka marrë fjalën në seancën e APKE-së në emër të Grupit të Demokratëve të Lirë (FDG), tha se DEASH-i është një organizatë terroriste ndërkombëtare.
"Në këtë organizatë ka njerëz nga kombe dhe fe të ndryshme. Për këtë arsye nuk duhet t'u jepet mundësia atyre që synojnë të formojnë mendime negative kundër muslimanëve dhe ndaj atyre që e shohin DEASH-in si organizatë e përbërë vetëm nga muslimanët. Kundërshtoj thirrjet e bëra kundër muslimanëve dhe fesë islame nga disa politikanë në Evropë të cilët i bëjnë me pretekstin e organizatës terroriste DEASH", tha Pashajeva.
Duke vënë theksin se veprimet e DEASH-it nuk kanë lidhje me fenë islame dhe se pak kohë më parë ka vizituar refugjatët sirianë në Turqi pranë rajoneve kufitare me Irakun dhe Sirinë, Pashajeva tha se këta njerëz presin më shumë mbështetje dhe interesim nga vendet e Evropës.
Ajo tha se DEASH-i më shumë dëmton popullatën e rajonit dhe muslimanët. "Rritja e ideve anti-islame në Evropë na shqetëson të gjithëve dhe gjithashtu ne së bashku duhet të punojmë kundër kësaj", theksoi Pashajeva.
Në vijim deputetja e Azerbajxhanit tha se refugjatët e ardhur nga Iraku dhe Siria kanë thënë se mbështetjen më të madhe e kanë patur nga Turqia në çështjet kundër DEASH-it dhe në aspektin e refugjatëve.
"Për këtë arsye i shpreh falënderimet Turqisë në emër të të gjithë refugjatëve. Turkmenët e Irakut, refugjatët e ardhur nga rajonet Bayırbucak dhe Türkmendağı (Mali Turkmen) të Sirisë të cilët janë larguar nga persekutimi i DEASH-it dëshirojnë që torturat dhe persekutimet me të cillat ata janë përballur të vërehen nga evropianët", tha Pashajeva në APKE.